Stojko Ramov është zgjedhur kryetar i ri i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës – SASHK, pas largimit të Jakim Nedelkovit, i cili e drejtoi këtë sindikatë për 16 vjet. Ramov bëri të ditur se prioritet në punën e tij do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive në arsim dhe kulturë, si dhe përmirësimi i dialogut social dhe i kushteve ekonomike e sociale të punonjësve të arsimit.
“Do të angazhohem për përmirësimin e dialogut social dhe partneriteteve në të gjitha nivelet: në nivel të Qeverisë, ministrive, vetëqeverisjes lokale dhe punëdhënësve, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe statusit ekonomik e social të punonjësve të arsimit. Do të angazhohem për rikthimin e dinjitetit të punonjësit të arsimit në vendin që meriton në këtë shoqëri”, tha Ramov.
“Sa i përket dialogut social dhe negociatave kolektive, këto negociata duhet patjetër të vazhdojnë dhe të përfundojnë sa më shpejt, sepse këtë e pret anëtarësia. Një pjesë e mirë e punës është kryer dhe çështjet janë harmonizuar, por disa rrethana ekonomike, të favorshme ose të pafavorshme, na penguan që marrëveshjet të realizohen”, deklaroi Nedelkov.
