Vlera e përgjithshme e mallrave të importuara dhe eksportuara nga Kina në periudhën janar – shtator ishte 39.94 trilionë juanë, 18.8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prej tyre, vlera e eksportit u rrit me 16.4 %, kurse ajo e importit me 22.3 %. Vetëm në shtator, vlera e import-eksportit të mallrave arriti në 5.16 trilionë juanë, duke i tejkaluar 5 trilionë juanët për herë të parë e duke përfaqësuar një rritje prej 27.5 % në bazë vjetore. Në përgjithësi, si vëllimi, ashtu edhe cilësia e importeve dhe eksporteve u rritën, duke ruajtur vrullin e zhvillimit.

Të dhënat e import-eksportit shfaqin katër karakteristika kryesore: “shpejtësi, risi, shkëlqim, cilësi”. “Shpejtësia” pasqyrohet kryesisht në shkallën e rritjes së tregtisë së jashtme, që në tre tremujorët e parë ishte më e shpejta në gati pesë vjet. Rritja prej 18.8% renditet ndër më të lartat e ekonomive të mëdha, dhe Kina vazhdon të ruajë pozicionin e saj si vendi më i madh tregtar në botë për mallra.
Ndërkohë, forcat lëvizëse të zhvillimit janë në evolucion të vazhdueshëm. Ndërsa industria e prodhimit të përparuar e Kinës vazhdon të forcohet dhe përmirësimi i sistemit të saj industrial dhe zhvillimi i integruar përshpejtohen, rritja e tregtisë së jashtme po merr një hov të ri. Në tre tremujorët e parë, industria e prodhimit të pajisjeve e Kinës luajti një rol kryesor, duke kontribuuar me gati 90 % të rritjes së vëllimit të eksportit; import-eksporti i produkteve, si robotët industrialë, përbërësit elektronikë, pjesët kompjuterike dhe pajisjet elektrike, u shtua me 58.9 %; kurse eksporti i produkteve të markës “Prodhuar në Kinë” u rrit me 26.7%.

Në fushën e eksportit, Kina, me sistemin e saj të plotë industrial dhe sektorin e prodhimit të përparuar që po zgjerohet dhe forcohet vazhdimisht, është në gjendje t’u përgjigjet me saktësi, shpejtësi e efektivitet kërkesave globale të prodhimit dhe konsumit, duke ofruar furnizim me cilësi të lartë e të qëndrueshëm. Nga anijet te robotët industrialë, nga modulet e komunikimit optik me shpejtësi të lartë te kabinetet e serverave të informatikës së inteligjencës artificiale, Kina vazhdon të luajë rolin e një “stabilizatori” në zinxhirin global të furnizimit, duke rritur aftësitë e zhvillimit industrial të vendeve përkatëse.
