Të paktën tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë, ndërsa goditjet ndaj infrastrukturës energjetike kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se një milion njerëz, njoftuan autoritetet ukrainase të premten.

Në qytetin e Kharkivit, në lindje të vendit, sulmet në tre distrikte shkaktuan viktima dhe plagosën 12 persona, sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov.

Ndërkohë, në rajonin veriperëndimor të Volynit, pranë kufirit me Poloninë, një sulm me dron ndaj një fabrike për përpunimin e ushqimeve vrau një person dhe plagosi tetë të tjerë. Rreth 370 mijë banorë mbetën përkohësisht pa energji elektrike, ndërsa autoritetet paralajmëruan se ndërprerjet në qytetin e Lutskut mund të zgjasin të paktën 24 orë.

Sulmet goditën gjithashtu një terminal doganor në qytetin e Kovelit, ku morën flakë rreth 10 kamionë, si dhe të paktën dy qendra tregtare në qytetet Sumy dhe Rivne.

Në Rivne, shtatë persona u plagosën nga sulmet ndaj një qendre të madhe tregtare dhe objekteve të tjera. Autoritetet raportuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të mëdha të qytetit dhe zonave përreth.

Ministria ukrainase e Energjisë bëri të ditur se ekipet e riparimit kishin rikthyer furnizimin me energji për më shumë se një milion persona që kishin mbetur pa energji pas sulmeve ndaj rrjetit elektrik.