Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur dyshime për një skenar të mundshëm për sulmin ndaj selisë së partisë, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Policinë e Shtetit se ka hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës në oborrin e selisë së PD-së, duke pretenduar se ndërhyrja është kryer pa provokim nga protestuesit.

“Këtu në PD është një rrugë kalimi. Policia, në mënyrë kriminale, dhunoi oborrin e PD-së. Hodhën sasi të mëdha të gazit, pa pasur asnjë lloj provokimi. Sasitë e gazit kanë qenë kolosale, i kanë helmuar njerëzit”, deklaroi Berisha, raporton “Euronews Albania”.

Kreu i demokratëve pretendoi se ngjarjet e mbrëmjes lidhen me një skenar për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike, ndërsa paralajmëroi vijimin e protestave dhe mosbindjen civile.

“Ka skenar për të sulmuar selinë e PD-së”, u shpreh Berisha, duke shtuar se mbështetësit e opozitës janë të mobilizuar në Tiranë dhe në të gjithë vendin.

Ai përsëriti gjithashtu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se “Edi Ramën e pret qelia e burgut”, ndërsa e cilësoi ditën e nesërme si një ditë të mosbindjes civile.

Berisha komentoi edhe praninë e të miturve në protestë, duke thënë se PD-ja do të angazhohet për mbrojtjen e tyre. Për personat e maskuar pranë selisë, ai argumentoi se përdorimi i maskave lidhej me gazin lotsjellës.

E deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorimin e bombolave të gazit lotsjellës pranë selisë së PD-së në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të paprovokuar.

Në një deklaratë nga vendngjarja, Bozdo tha se në momentin e ndërhyrjes në zonë ndodheshin dhjetëra e qindra simpatizantë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike. Sipas tij, ai kishte parë mbi 10 automjete policie të rrethuara, ndërsa nga disa prej tyre u hodhën njëkohësisht bombola gazi, disa prej të cilave ranë pranë hyrjes së selisë blu.

Deputeti pretendoi se hedhja e gazit shkaktoi panik te personat që ndodheshin në oborrin e Partisë Demokratike, duke shtuar se ai dhe kolegë të tjerë deputetë tentuan të komunikonin me efektivët për të kuptuar arsyet e ndërhyrjes.

“Ne kemi kërkuar komandantin për t’u sqaruar, sepse nuk kuptohet për çfarë arsye pati një sulm absolutisht të paprovokuar te njerëzit që rrinin brenda oborrit të Partisë Demokratike”, u shpreh Bozdo.

Ai mohoi që në oborrin e selisë të kishte protestues, duke pretenduar se personat e pranishëm ishin vetëm anëtarë dhe simpatizantë të PD-së.

Bozdo e cilësoi situatën si të turpshme, ndërsa tha se edhe vetë ishte dëmtuar nga gazi lotsjellës. Ai përmendi gjithashtu praninë e dy ambulancave dhe personat që, sipas tij, ndodheshin në gjendje të rënduar.