Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar studentët që përfshihen në akte dhune gjatë protestave se, nuk do të përfitojnë arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Rama deklaroi se studentët që sulmojnë efektivët e policisë nuk duhet të përfitojnë nga fondet publike, ndërsa theksoi se paratë e taksapaguesve do të përdoren për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

“Nuk do kenë arsim falas ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë e shtetit, nuk do kenë bursa dhe mbështetje financiare nga shteti. Nëse duan të vazhdojnë universitetin pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, asnjë kokërr leku nuk do marrin ata nga taksat e shqiptarëve, asgjë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se fondet publike do të përdoren për riparimin e infrastrukturës dhe zëvendësimin e elementeve të dëmtuara gjatë protestave.

“Nga taksat e shqiptarëve do riparojmë trotuaret, semaforët dhe kamerat e shkatërruara, tabelat, stolat, do zëvendësojmë pemët. Nuk do paguhen nga taksat e shqiptarëve këta djem e vajza që mendojnë se u bë deti kos për Antifa-n”, u shpreh kryeministri.

Kyeministri iu drejtua më tej edhe familjeve të të miturve që përfshihen në akte dhune, duke paralajmëruar se mund të përballen me pasoja financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësi për fëmijët e tyre.

“I them familjeve të fëmijëve të mitur: do të paguani nëse nuk mbani përgjegjësi për ata fëmijë, nëse nuk dini t’i mbroni dhe i lini rrugëve që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, atëherë fatura financiare për të gjitha ato dëme do t’ju shoqërojë deri në fund”, përfundoi Rama.

Rama paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, shteti do ta fitojë përballjen me dhunën dhe se personat që, sipas tij, janë përfshirë në një plan për të marrë pushtetin përmes akteve të dhunshme do të përballen me pasoja.

“Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë do të zhgënjehet dhe kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë, do paguajë”, deklaroi Rama.

Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të Policisë që është angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të ditëve të fundit. Gjithashtu, Rama deklaroi se nga 1 janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Policisë.

Gjatë takimit me forcat e Policisë, pas 6 ditësh protestash të shoqëruara me akte dhune, kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e efektivëve në terren. Rama theksoi se shuma prej 2500 eurosh do të jetë e njëjtë për të gjithë efektivët e angazhuar në front, pa dallime sipas nivelit të pagës.

“Nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë  të konsiderueshme. Për të gjithë sakrificën, kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin po i dilni përballë, ne do t’ju vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 euro për çdo efektiv që është në këtë front sepse keni jo vetëm stresin por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment edhe gjëra ekstra dhe vendosëm kështu për të mos bërë asnjë diferencë. Nuk e vendosëm sipas pagës, por e njëjta shumë për të gjithë”, tha Rama.