Çmimi i dizelit mund të ulet nga nesër, nëse Qeveria arrin marrëveshje me “OKTA”-n për zbritje prej dy denarësh për litër. Negociatat janë në fazën përfundimtare, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski pret që marrëveshja të arrihet së shpejti.

“Po, jemi në negociata dhe mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje për zbritje prej dy denarësh”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Komunën e Çeshinovë-Obleshevës.

Kryeministri konfirmoi se mbeten në fuqi edhe masat e Qeverisë për uljen e TVSH-së dhe akcizës për dizelin, me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve ndaj qytetarëve.

Sipas analizës së mëngjesit, dizeli sot kishte mundësi të shtrenjtohej për 0,5 deri në 1 denar për litër. Megjithatë, nëse arrihet marrëveshja me “OKTA”-n dhe sigurohet zbritja prej dy denarësh, çmimi mund të ulet nga niveli aktual prej 97 denarësh për litër.

Çmimi përfundimtar do të varet nga vendimi për çmimet e derivateve të naftës dhe nga finalizimi i marrëveshjes me “OKTA”-n.