José Mourinho u shfaq i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, duke veçuar sidomos Bernardo Silvën. Trajneri vlerësoi ritmin e lojës, por shprehu keqardhje për golin e pësuar, pasi sipas tij, Thibaut Courtois nuk e meritonte të ndëshkohej pas pritjeve të shumta:

“Jam i kënaqur. Bernardo Silva kishte shumë kohë që kishte nevojë për një ndeshje të tillë dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer. Pjesa e parë ishte e mirë, me ritëm të ulët, por kur e ndryshuam ritmin, gjithçka ishte ndryshe. Nuk më pëlqeu vetëm goli që pësuam. Courtois nuk e meritonte, pas atyre pritjeve fantastike.

Luajtëm mirë, krahu i djathtë funksionoi shumë mirë. Kemi 9 pikë dhe jemi pranë zonës së kualifikimit në ‘play-off’, por jemi ende larg 15 pikëve që mund të nevojiten për t’u kualifikuar drejtpërdrejt. Në Athinë do të jetë e vështirë, sepse dy ditë më pas luajmë në Valencia, por do të vijë edhe ajo ndeshje”.

I pyetur për gjendjen emocionale të Vinicius dhe mundësinë që braziliani të jetë i trishtuar, Mourinho u tregua i kujdesshëm: “Diomande u aktivizua duke pasur në mendje këtë ndeshje, jo ‘El Clásico’. Doja të ndryshoja edhe në krahun e djathtë. Ai ishte i freskët në fund dhe shpejtësia e tij na ndihmoi. Vini bëri një ndeshje të mirë, u kthye shumë mirë në mbrojtje dhe për pak shënoi një gol fantastik. A është i trishtuar? Vetëm ai mund të shpjegojë nëse ndihet kështu apo jo, por trajneri i tij është i kënaqur”.

Në konferencën për shtyp, Mourinho u ndal sërish te braziliani, duke theksuar se pritshmëritë ndaj tij janë gjithmonë të larta: “Është diçka shumë personale. Ju mund të keni përshtypjen tuaj, por vetëm ai mund t’ju thotë se çfarë ndien. Si trajner, jam i kënaqur me atë që bëri. Nga Vini pritet gjithmonë më shumë, pritet të jetë vendimtar, por mua më pëlqeu ndeshja e tij. Ai kishte më shumë përgjegjësi në mbrojtje se sulmuesit e tjerë dhe u kthye shumë mirë”.

Mourinho shpjegoi se zëvendësimi i Viniciusit nuk ishte shenjë pakënaqësie, por pasojë e alternativave që kishte në stol: “Nuk e zëvendësova sepse nuk isha i kënaqur me të. Kam një stol të pasur dhe mund të aktivizoja dikë që më jepte diçka ndryshe. Duhet të mësoheni me faktin se mund të nxjerr një lojtar që po luan mirë për të futur një tjetër që mund të na ofrojë elementë të tjerë. Mendoj se Vini ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kur të vërshëllejnë jashtë fushe, kjo mund të të motivojë, por kur ndodh në shtëpinë tënde, të lëndon”.

Pavarësisht afrimit të përballjes me Barcelonën, Mourinho nuk dëshiron që ekipi i tij të shpërqendrohet nga objektivi i radhës: “Për El Clásico nuk ka vend për vetëbesim të tepruar. Është një ndeshje tjetër kampionati, megjithëse nuk është si të tjerat. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën”.

Trajneri shmangu përgjigjen nëse Federico Valverde do të luajë sërish si mbrojtës i djathtë kundër Barcelonës: “Nuk do të flas për të dielën. As të shtunën nuk do t’ju përgjigjem nëse Fede do të luajë sërish si mbrojtës i djathtë. Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Rezultati 4-1 nuk pasqyron atë që ndodhi në pjesën e parë. Fede luajti mirë”.

The post Mourinho për Vinicius: Vetëm ai mund të thotë nëse është i trishtuar, unë jam i kënaqur me të appeared first on Telesport.