Në marrëveshjen për superduelin e 11 dhjetorit mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury nuk ka asnjë klauzolë për revansh (ndeshje të dytë). Dy ish-kampionët e botës në peshën e rëndë, Joshua dhe Fury, do të përballen në një duel britanik në stadiumin “Principality” në Cardiff.
Ata kanë qenë rivalë të ashpër për gati një dekadë, por në vend që të planifikohet një ndeshje e dytë, dueli i tyre i 11 dhjetorit pritet të jetë i vetmi, me mundësinë që humbësi të tërhiqet nga sporti.
Spencer Brown, menaxheri i Fury, tha: “Në kontratë bëhet fjalë për një duel. Një përballje e madhe. Ajo u planifikua pikërisht për këtë qëllim. Nuk po them se nuk mund të ketë një ndeshje të dytë. Por, nëse fiton Tyson, ne do të donim t’i ktheheshim edhe përballjes me Oleksandr Usyk“.
Megjithatë, humbja mund t’i japë fund karrierës së Fury ose Joshua. “Të dy janë pranë fundit të karrierës së tyre. Kushdo që humbet këtu, ku do të shkojë? Kjo është një pyetje e vështirë. Ku do të shkojnë më pas? Kushdo që fiton, e vazhdon rrugëtimin. Kushdo që humbet, duhet të mendojë se çfarë do të bëjë dhe kur do ta bëjë atë“, tha Broën.
Eddie Hearn, promotori i Joshua, beson se një lloj i caktuar dueli mund të çojë në një duel të dytë me Fury: “Nuk ka klauzolë për revansh. Është një ndeshje e vetme. Nëse është një sukses i jashtëzakonshëm, jam i sigurt se do ta përsërisin. Por, sipas këndvështrimit tonë, është një ndeshje dhe kaq”.
“Hyn në ring, e mposht kundërshtarin dhe vazhdon më tej. Të dy mund të rrëzohen gjatë kësaj ndeshjeje, por janë aq të vendosur për të fituar, saqë mund të jeni të sigurt se do të ngrihen dhe do të zvarriten për t’u çuar nga dyshemeja e ringut dhe për ta fituar ndeshjen“, tha Hearn.
The post Promotorët e duelit Joshua-Fury konfirmojnë: Nuk ka revansh, kushdo që fiton vazhdon rrugëtimin appeared first on Telesport.
