Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit të tij me rastin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, komentoi edhe protestat në rajon dhe Evropë, përcjell TV21. Mickoski tha se më nuk është vetëm Ballkani fuçi baruti.
“Ballkani nuk është më i vetmi fuçi baruti. Në fakt, Europa po bëhet një vullkan i trazuar. Arsyeja dëgjohet gjithnjë e më pak dhe çdo ditë jemi dëshmitarë të protestave dhe dhunës në forma të ndryshme, si në Europë, ashtu edhe mes fqinjëve tanë. Dhe në Ballkan, shërbimet sekrete nuk ndalojnë kurrë së punuari. Dhe nuk do të më habiste nëse ka nga ata që do të përpiqen të na përfshijnë në problemet e tyre ose të transferojnë një pjesë të atmosferës së tyre në jetën tonë të përditshme. Dhe sa u përket aktorëve vendorë për një lojë të tillë, kjo është shumë e lehtë. Ka disa në opozitë që, për para dhe premtime të rreme për një post-karrige, janë të aftë të bëjnë mrekulli”, tha Mickoski.
-Vendin tonë në Evropë duhet ta ndërtojmë përmes reformave, dijes, institucioneve të forta dhe ruajtjes së dinjitetit kombëtar, tha mes tjerash kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se Maqedonia duhet të jetë e mençur dhe e bashkuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht pritjes shumëvjeçare, kushtëzimeve dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Mickoski theksoi se është e rëndësishme se në cilin drejtim po lëviz shteti, por edhe se duhet të jemi të vetëdijshëm për pasojat e së kaluarës dhe problemet e trashëguara, të cilat nuk janë zgjidhur sa duhet nga elitat e mëparshme politike.
“Që kur e mora këtë detyrë, të gjithë flasin për dëshirat dhe për atë se ku mund të ishim, por pak flasin për malet e problemeve që mbartim dhe ato që i trashëguam. Këto probleme nuk u shfaqën brenda natës, por janë trashëguar dhe shumë pak janë zgjidhur në të kaluarën. Kjo për shkak se kanë munguar sinqeriteti dhe qasja e ndershme. Shpesh, elitat politike, veçanërisht ato të mëparshmet, harronin veten dhe vendosnin në peshore çështje që jo vetëm nuk shiten, por janë pjesë e kodit tonë dhe e asaj që jemi”, tha Mickoski.
Ai theksoi se emri, gjuha, kultura dhe kujtesa historike maqedonase janë pjesë e identitetit kombëtar dhe e trashëgimisë që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm.
Si kryeministër, Mickoski tha se ka detyrimin ta përfaqësojë dinjitetin kombëtar në mënyrë paqësore, të qartë dhe të qëndrueshme, duke respektuar të gjithë dhe duke kërkuar respekt për Maqedoninë.
“Besoj në të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe në vlerat e një Evrope ku popujt e ndryshëm respektojnë njëri-tjetrin. Vendin tonë atje duhet ta ndërtojmë përmes reformave, dijes, institucioneve të forta dhe ruajtjes së dinjitetit kombëtar. Qytetarët tanë meritojnë një perspektivë në të cilën mund të besojnë dhe një rrugë në të cilën do të ecin me kokën lart. Të njëjtën pjekuri na duhet ta tregojmë edhe brenda vendit”, theksoi Mickoski.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Mickoski tha se e ndan shqetësimin dhe lodhjen e qytetarëve nga pritja tepër e gjatë për anëtarësim në BE.
“Po kalojmë jo vetëm rrugën më të vështirë, por edhe më të gjatë drejt BE-së, të rënduar nga shumë heqje dorë, shtyrje dhe goditje të padrejta. Të fortët bëjnë atë që duan, ndërsa të dobëtit atë që duhet. Kjo nuk është një frazë e marrë nga tekstet shkollore, por një pasqyrim i politikës reale sot. Edhe pse shumë tashmë janë skeptikë dhe të lodhur nga kushtet, kriteret dhe mosmarrëveshjet dypalëshe, ne duhet të jemi të mençur. Për popujt e vegjël, e ardhmja qëndron te mençuria dhe uniteti. Politikën nuk e shoh si një garë force, por më shumë si një lojë shahu. Edhe të mëdhenjtë mund të mposhten me mençuri. Mençuria mund të na sigurojë të ardhmen, kur pozita jonë natyrore, rrethanat dhe gjeopolitika nuk na ofrojnë forcë”, deklaroi kryeministri.
