Te Barcelona të gjithë e dinin se ndeshja kundër PSG-së do të ishte shumë e vështirë. Përballë kishin kampionen aktuale të Europës, një skuadër me potencial të jashtëzakonshëm ofensiv, siç e dëshmoi sërish duke shënuar 4 gola. Ekipi i Luis Enrique ishte superior ndaj kundërshtarit, i cili pësoi humbjen e parë këtë sezon.
PSG-ja ia doli sepse Barcelona bëri shumë gabime në faza të ndryshme të ndeshjes. Kjo është një përballje nga e cila katalanasit mund të mësojnë shumë për të ardhmen dhe, mbi të gjitha, për ndeshjen e së dielës së ardhshme kundër Real Madridit.
Barcelona humbi në “Parc des Princes” për disa arsye, të cilat duhet t’i analizojë dhe të nxjerrë përfundimet e duhura gjatë ditëve në vijim. Këtë e theksuan si trajneri, ashtu edhe lojtarët që folën pas ndeshjes. “Krijuam raste që duhet t’i shfrytëzojmë. Duhet të luajmë më qetë. Duhet të kemi kujdes me distancat mes lojtarëve. Duhet të bëjmë më mire”, – deklaroi Hansi Flick.
Humbjet e topit – Një nga faktorët kryesorë të humbjes ishin topat e humbur nga katalanasit. Në pesë minutat e para, Pedri humbi tri herë topin, duke i krijuar PSG-së raste të pastra shënimi. Pas njërës prej këtyre gabimeve, Kvaratskhelia goditi shtyllën, ndërsa Joan García u detyrua të bënte dy pritjet e para të mbrëmjes. Dy gola erdhën pas dy humbjeve të topit në mesfushë, njëra prej të cilave nga Lamine Yamal. Nëse Barcelona dëshiron të shpallet kampione e Europës, nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë kaq shumë topa, aq më pak në atë zonë të fushës.
Goditjet drejt portës – PSG-ja diti t’i shfrytëzonte gabimet e kundërshtarit dhe të krijonte raste të shumta. Lojtarët e Luis Enrique regjistruan 15 goditje në kuadratin e portës kundër Barcelonës. Asnjë kundërshtar nuk kishte arritur një shifër të tillë ndaj katalanasve gjatë 10 viteve të fundit. Skuadra e Flick duhet t’i mbyllë më mirë hapësirat dhe t’ia vështirësojë kundërshtarit rrugën drejt zonës së saj.
Efikasiteti – Në Europë duhet të jesh efikas. Barcelona krijoi raste të shumta gjatë ndeshjes, duke treguar se është gjithashtu shumë e rrezikshme në sulm, por lojtarët e Flick nuk ishin të saktë në finalizim. Lamine Yamal, Raphinha dhe Gordon nuk patën mbrëmjen e tyre ideale, megjithëse i pari shënoi një gol të shkëlqyer. Lojtarët e Flick kryen gjithsej 18 goditje, por vetëm 5 prej tyre përfunduan në kuadratin e portës.
Shkëmbim i vazhdueshëm goditjesh – Barcelona nuk arriti në shumë momente të impononte ritmin e lojës që i përshtatej më shumë. Në vend që ta kontrollonte ndeshjen, ajo u shndërrua në një shkëmbim sulmesh dhe goditjesh, nga i cili francezët dolën fitimtarë.
Është e vërtetë se në disa faza të pjesës së dytë katalanasit arritën ta dominonin lojën dhe të kishin më shumë zotërim të topit se kundërshtari. Kjo u mundësoi të barazonin rezultatin, por më pas nuk arritën ta ruanin kontrollin e ndeshjes.
Mungesa e Rodrit – Në këtë aspekt, faktori “Rodri” është thelbësor. Është e vërtetë se Flick duhet ta menaxhojë ngarkesën fizike të lojtarëve, por është e vështirë të kuptohet përse mesfushori u la jashtë formacionit në një ndeshje kaq të rëndësishme si ajo kundër PSG-së.
Edhe pse të dielën e pret Real Madridi, prania e ish-fituesit të “Topit të Artë” duket thelbësore. Mungesa e tij u ndie në pjesën e parë, kur Pedri nuk arriti t’i jepte skuadrës ritmin e nevojshëm. Kur Rodri hyri në fushë në pjesën e dytë, së bashku me Gavin, asnjëri prej tyre nuk arriti të bëhej faktori që do t’i jepte Barcelonës shtysën e nevojshme për të ndryshuar rrjedhën e lojës.
Strategjia – Një tjetër aspekt që duhet marrë parasysh është mbrojtja në goditjet standarde. Barcelona pësoi një gol nga goditja e këndit dhe nuk arriti të ndalte goditjen e saktë me kokë të Lucas Hernández. PSG-ja përfundoi me sukses një aksion të mirë të përgatitur taktikisht, që u shndërrua në golin e avantazhit 2-1 për francezët.
Punë për përmirësim – Barcelona tregoi se ka potencialin për të konkurruar me skuadrat më të mira të Europës, por duhet të përmirësojë këto aspekte mbrojtëse nëse dëshiron realisht të synojë fitimin e Champions League. Edhe sezonin e kaluar, paraqitja në mbrojtje ishte një faktor vendimtar për të shpjeguar përse skuadra katalanase nuk arriti të shkonte më larg në këtë kompeticion.
The post Gabimet që ndëshkuan Barcelonën ndaj PSG-së dhe mësimet për “El Clásico” appeared first on Telesport.
