Viti 2026 solli kushte ideale klimatike dhe një nga të vjelat më cilësore të mollës në vendin tonë. Mirëpo, ajo që duhej të ishte një vit fitimi për pemëtarët, u shndërrua në krizë financiare. Çmimi i blerjes me shumicë ka rënë deri në vetëm 20 denarë për kilogram – çmim që nuk mbulon as koston e plehërimit, ujitjes dhe fuqisë punëtore. Në Sellarcë të Tetovës, Amet Ismaili, prej dekadash merret me pemëtari, ndërsa tregon se tregu vendor është mbytur nga mbiprodhimi për shkak të dështimit të eksportit.

“Ky ka qenë viti më kualitativ sepse temperaturat e verës ishin të më të ngrohta dhe nuk pati dështime. Pra ka kuantitet më shumë se sa vitet tjera. Tregu në Maqedoni është i vështirë sepse kur ka prodhim ka shumë mollë dhe nuk eksportohet dhe bëhet problem, sepse Maqedonia ka më tepër mollë se sa i nevojitet, dhe me automatizëm bie çmimi, pra është shumë i dobët dhe nuk ke llogari ta shesësh sepse kostoja e prodhimit është më e lartë se sa që merren momentalisht në treg”, tha Amet Ismaili – pemëtar.

Sipas Ismailit, problem në vendin tonë vazhdon të mbetet mungesa e depove ku ruhen mollët në rast të pamundësisë për t’i shitur, andaj, kërkon nga shteti që të investojë në këtë drejtim, e sidomos edhe në fabrikat për selektim dhe paketim, sepse kjo do ndihmonte për eksport më të lehtë jashtë shtetit.

“Depot ku duhet të ruhen mollët mungojnë në vendin tonë, andaj apeloj Ministrinë e bujqësisë që më shumë të investoj në këtë drejtim dhe në paketimin e mollëve se ka nevojë vendi edhe për shkak të kësaj vinë nga vendet tjera mollë, se i kanë të seleksionura”, u shpreh Amet Ismaili – pemëtar.

Pikërisht shkaku i uljes së çmimit të blerjes me shumicë të mollëve, bën që shumica e pemëtarëve të heqin dorë nga ky biznes sepse thonë se nuk ia vlen barra qiranë. Si pasojë e mungesës së blerjes me shumicë dhe me çmim të mirë, tonelata mollë kalben dhe hidhen. Në Maqedoni ka rreth 17 mijë hektarë tokë të mbjella me mollë, ndërsa tregu është shumë i vogël.