Dhjetëra fluturime janë anuluar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, për shkak të erërave të forta të shkaktuara nga stuhia “Boelo”.

Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), në tabelën e nisjeve të aeroportit janë regjistruar 90 fluturime të anuluara, kryesisht drejt destinacioneve evropiane, përfshirë Parisin, Romën dhe Dublinin.

Ndërprerje janë raportuar edhe në fluturimet e mbërritjes, ku dhjetëra avionë janë anuluar ose kanë pësuar vonesa për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.

Përmes një njoftimi, aeroporti Schiphol paralajmëroi se stuhia do të ndikojë në trafikun ajror gjatë së dielës, më 25 tetor.

“Për shkak të erërave të forta, sot, të dielën, më 25 tetor, pritet të ngrihen dhe të ulen më pak avionë”, thuhet në njoftimin e aeroportit.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende numrin e saktë të fluturimeve që do të preken nga stuhia.

Ndërkohë, pasagjerëve u është bërë thirrje që të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimeve të tyre, për shkak të mundësisë së anulimeve dhe vonesave të tjera.