Hansi Flick analizoi humbjen e Barcelonës ndaj Real Madridit në “Camp Nou”, në javën e 10-të të La Liga-s. Katalanasit ndërprenë serinë prej 9 fitoresh radhazi në kampionat.
Dy humbjet radhazi – “Janë dy humbje dhe nuk jemi të kënaqur. Jemi të zhgënjyer. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, ndërsa pas barazimit 1-1 u përmirësuam. Na mungoi freskia. Kjo ishte humbja e parë në La Liga, pasi kishim fituar 9 ndeshje radhazi. Humbjet janë pjesë e këtij sporti. Duhet të analizojmë, të përmirësohemi dhe të reagojmë”.
Humbja në “El Clásico” – “U përballëm me një kundërshtar me cilësi të mëdha, që u mbrojt shumë mirë. Na mungoi freskia. Këto javë, pas ndeshjes me Betis, nuk kanë qenë të lehta. Duhet të pushojmë dhe të reagojmë. Humbja nuk do të thotë se gjithçka është gabim. Kemi ende shumë përpara dhe këto gjëra ndodhin. Duhet të reflektojmë dhe të përmirësohemi”.
Dyshimet dhe mbrojtja – “Nuk mendoj se kjo humbje do të krijojë dyshime në skuadër. Të gjithë e njohin situatën. Nuk luajtëm mirë, por ndeshjet e mëdha vendosen nga detajet dhe sot fati nuk ishte në anën tonë.
Duhet të përmirësohemi në mbrojtje. Pas këtyre humbjeve nuk ka justifikime. E di se ku duhet të punojmë. Dy humbje janë shumë për mua dhe për të gjithë tifozët e Barcelonës, sidomos kjo në ‘El Clásico’. Ne nuk duam të humbasim”.
Mungesa e freskisë – “Ju shihni vetëm ndeshjet, por të kalosh tri orë në avion pas udhëtimit në Seville, të kthehesh në hotel dhe më pas të udhëtosh drejt Parisit, është e lodhshme. Megjithatë, nuk dua të justifikohem. Sot nuk ishim të freskët dhe duhet ta ndryshojmë këtë.
Lojtarët do të kenë dy ditë pushim pas stërvitjes së nesërme. Dua që të gjithë të jenë të çlodhur dhe të kujdesen për ushqimin, gjumin dhe rikuperimin. Para ndërprerjes së kampionatit kemi tri ndeshje. Dua t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe trofetë”.
Dëmtimet – “Dëmtimet janë çështja më e rëndësishme. Ato ndodhin; kemi dëmtime muskulore dhe goditje, si në rastet e Eric, Jules dhe Dani. Duhet ta menaxhojmë situatën. Në repartin e mbrojtjes kemi mbetur pa alternativa. Kemi lojtarë te ‘La Masia’ dhe ndoshta do të duhet t’i thërrasim. Andreas, Jules dhe Eric mund të rikthehen javën e ardhshme. Do të shohim si do të ecë rikuperimi i tyre”.
Frenkie de Jong – “E diskutuam dhe në fund vendosëm që Frenkie, i cili ishte në ritëm të mirë, mund të na jepte forcë. Për këtë arsye luajti në pozicionin e mesfushorit ofensiv. Ishte e rëndësishme që të merrte minuta sot”.
The post Flick: Dy humbje radhazi janë shumë për mua dhe tifozët e Barcelonës, sidomos kjo në “El Clásico” appeared first on Telesport.
