Real Madridi fitoi një “El Clásico” dramatike, të vendosur vetëm në minutat e fundit. Dy gola të Mbappé mposhtën përpjekjet e Barcelonës, që reagoi me Raphinha. Në konferencën për shtyp, José Mourinho analizoi fitoren që e afron Realin në tri pikë nga katalanasit.
Fitorja- “Ishte një ndeshje e madhe, e nivelit të lartë. Dy skuadra që luajnë për të fituar. Djemtë tanë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, duke qenë të organizuar dhe kurajozë përballë një kundërshtari që ushtron shumë presion. Patëm mundësi të shënonim golin e dytë, si në rastin kur Jude dhe Kylian u gjendën dy kundër një. Barcelona reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, por ne ruajtëm qetësinë. Një fitore e madhe e lojtarëve. Arbitri zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. VAR-i ishte në gjumë në minutën e 60-të, kur duhej të ndërhynte për kartonin e kuq të qartë ndaj Joao, pas faullit ndaj Diomande”.
A është kjo një pikë kthese – “Kjo ndeshje mund të na linte 3, 6 ose 9 pikë larg. Nëse do të ishim 9 pikë prapa, situata do të ishte e rëndë. Me 6 pikë do të ishte e ekuilibruar, ndërsa tani është ndryshe. Mund të fitosh me fat, duke u mbrojtur shumë, por ne fituam me qetësi dhe me të gjitha meritat.
Kam pak kohë këtu, megjithëse Bernardo-n e njoh mirë. Një gjë është ta njohësh, tjetër ta shohësh se si mund të përshtatet. Nuk do t’ju them kurrë ‘kjo është skuadra ime bazë’ dhe as nuk do të flas për lojtarë të paprekshëm. Kemi një grup të kompletuar, që punon shumë dhe është gati për të fituar.
Më keni bërë dy pyetje dhe asnjëra nuk ishte për Lunin. Jam i sigurt se po të bënte gabime, pyetja e dytë do të ishte për të. Kemi portierin më të mirë në botë, por askush nuk u ankua para ndeshjes pse nuk luajti. Lojtarët janë të bashkuar.
Kemi pesë fitore radhazi, por të dielën na pret një tjetër ndeshje. Është një seri e veçantë, sepse kemi luajtur tri ndeshje radhazi jashtë fushe. Valverde luajti i dëmtuar për më shumë se 40 minuta. Ai donte të vazhdonte, brenda kufijve të tij”.
Camavinga dhe aksioni i fundit – “Eduardo, si të gjithë të tjerët, është titullar potencial. Lojtarët stërviten për të luajtur, por vendimin e merr trajneri. Ka trajnerë që shohin stolin dhe nuk gjejnë zgjidhje. Flick aktivizoi De Jong, një lojtar me shumë energji. Bernardo punoi shumë për të kufizuar Pedrin, ndërsa ndeshja kërkonte lojtarë me energji për të vazhduar dhe për të dalë në kundërsulm.
Kundër Barcelonës është shpesh e vështirë të sulmosh hapësirat, sepse bie në pozicion jashtë loje. Kur lëvizja vjen nga linja e dytë, siç bënë Jude dhe Camavinga, është më e vështirë për kundërshtarin të të ndalojë”.
Niveli i lojtarëve – “Mendoj se ishte ndeshja më e vështirë kundër një kundërshtari që vinte vetëm me fitore në kampionat. Kemi fituar me 4 gola diferencë ndaj disa skuadrave, por kjo ishte Barcelona. Lojtarët tanë zhvilluan një ndeshje të madhe”.
Mentaliteti pas derbit – “Kemi përmirësuar shumë gjëra në ndeshjet e fundit. Nuk dua të kthehem te ndeshja me Atlético Madridin, por kundër Betis humbëm më shumë raste për shënim. Nuk luajtëm një ndeshje katastrofike.
Grupi është i fortë nga brenda dhe lidhja mes lojtarëve po rritet. Ata mbështesin njëri-tjetrin. Është një grup i bukur për të punuar, sepse grupet e mira dallohen edhe nga mënyra se si qëndrojnë të bashkuara në vështirësi.
Kur të kthehemi në stërvitje, nuk do t’i lejoj lojtarët të qëndrojnë me kokën në re. Nëse humbasim në ‘El Sardinero’, fitorja e sotme nuk do të vlejë asgjë. Reali luan për të fituar trofe”.
Cucurella dhe dueli me Lamine Yamal – “Kemi dy mbrojtës të majtë të nivelit të lartë, gjë që më lejon të menaxhoj ngarkesën e tyre. Carreras luajti ndeshjen e fundit dhe i dha mundësinë Cucurellas të ishte i freskët për këtë sfidë. Ai bëri një punë të shkëlqyer.
Gjithmonë them se e kuptoj sa të mirë janë lojtarët vetëm kur i shoh nga afër. Televizioni nuk të tregon gjithçka. Kur i kam 10 metra larg, e kuptoj cilësinë e tyre.
Lamine është shumë i mirë, jashtëzakonisht i vështirë për t’u përballuar dhe, përveçse i talentuar, është edhe i zgjuar. Provoi gjithçka. Ky ishte dueli më i vështirë për Cucurella kundër një lojtari kaq të mirë”.
Fitorja erdhi falë lojtarëve apo trajnerit – “Fituam falë lojtarëve. Kjo është jeta jonë si trajnerë dhe arsyeja pse shumë prej nesh humbasin vendet e punës. Jam shumë i lumtur për ta, për të gjithë. Edhe për Asencio, i cili dëshironte të vinte sot dhe qëndroi duke biseduar me lojtarët”.
Çfarë ka mësuar gjatë këtyre dy javëve të fundit – “Kam mësuar se kam një grup të jashtëzakonshëm, me cilësi dhe mentalitetin e duhur për të luajtur. Në mesfushë kemi gjithashtu një kombinim talentesh që na jep më shumë sesa përdorimi i dy lojtarëve me karakteristika të ngjashme.
Për këtë arsye, nuk do ta aktivizoja Bernardo-n së bashku me Güler, përveçse në situata dëshpëruese. Edhe kombinimi i Camavingas me Tchouaménin është për momente të caktuara. Kjo ndërthurje talentesh na jep ekuilibër në mbrojtje dhe cilësi kur dalim në sulm”.
The post Mourinho: Mund të fitonim me fat ndaj Barcelonës, por fituam me qetësi dhe plot meritë appeared first on Telesport.
