Prania e arinjve në rajonin e Pollogut po vazhdon të ngjallë frikë dhe shqetësim të madh te banorët lokalë. Brenda vetëm tre javëve të fundit, një ari është shfaqur disa herë në rajonin e komunës së Vrapçishit, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka shënuar edhe një sulm direkt, duke sulmuar një viç në fshatin Kalisht. Rasti është denoncuar zyrtarisht në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë.

“Më datë 10.10.2026, rreth orës 08:30, në Stacionin Policor në Gostivar, një 40-vjeçar me inicialet A.A. nga fshati Kalisht i Gostivarit, ka raportuar se, pasi që ishte kthyer në kullotë në malin e Dytë, ka vërejtur se një nga viçat që ka pasur në pronësi, është lënduar, me shumë gjasa nga kafshët e egra – ariu“, tha Fatmir Rexhepi

Ky nuk është rasti i vetëm. Javë më parë, prania e ariut u raportua edhe pranë stadiumeve të fshatrave Debresh dhe Dobërdoll. Banorët e këtyre vendbanimeve shprehin shqetësim të thellë, sidomos për faktin se në këto hapësira qëndrojnë dhe luajnë çdo ditë një numër i madh fëmijësh. Nga ana tjetër, autoritetet e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” theksojnë se të gjitha dëmet e konstatuara do të dëmshpërblehen, por paralajmërojnë se në raste kur rrezikohet siguria e banorëve, ndiqen procedura specifike ndërinstitucionale.

“Atë që ne si institucion publik e ndërmarrim, është t’i informojmë qytetarët se nëse shkaktohet dëm ndaj jetës ose pronës së tyre, është e nevojshme të ndërmarrin masa për sigurinë e tyre, ta paraqesin rastin në stacionin më të afërt policor dhe nga aty procedura konsiston në përcaktimin e mënyrës se si do të veprohet më tej, si dhe përcaktimin e vlerës së dëmit në mënyrë që qytetarët të mund të kompensohen. Ndërsa, nëse bëhet fjalë për një situatë ku jetët e njerëzve janë të rrezikuara, atëherë procedura është që ai ari të gjendet dhe të merren masa, mirëpo kjo është një procedurë në të cilën përfshihen edhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave“, tha Anella Stavrovska

Banorët e kësaj ane kërkojnë reagim më urgjent nga institucionet kompetente para se situata të përfundojë me pasoja në njerëz, duke kërkuar masa parandaluese për largimin e kafshës së egër nga zonat e banuara.