Dy ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, i dyshuari kryesor, kunati i saj Albert Sylaj, vazhdon të jetë në arrati. Policia e Kosovës ka kontrolluar shtëpinë e tij, ku ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të mprehta.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë bastisjes janë gjetur një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje për armë, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar caktimin e paraburgimit për ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për mospërfillje të gjykatës.

Sipas Prokurorisë, ndaj tij ekzistonte një urdhër që e ndalonte të ushtronte dhunë fizike apo psikologjike ndaj Arlindës, t’ia pengonte lëvizjen, ta fyente, shqetësonte apo kërcënonte.

Megjithatë, ai dyshohet se e kishte kërcënuar sërish viktimën dhe kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Prokuroria përmend edhe dyshimin se ai kishte marrë rrobat që Arlinda i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i kishte hedhur në oborr.

Sipas të dhënave të raportuara, Arlinda u vra rreth dhjetë minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesë, pas denoncimit për dhunë në familje ndaj ish-bashkëshortit. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj.

Tri ditë para ngjarjes, ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte ngritur shqetësime për neglizhencë në trajtimin e rastit të saj.

Arlinda u ishte drejtuar me letra kryeprokurores së Pejës, kryetarit të Gjykatës së Pejës dhe kryeprokurorit të shtetit. Këto kërkesa, sipas fjalëve të saj, përfaqësonin “shpresën e fundit” për mbrojtje.

/Monitor.mk