Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, në ”Click” të RTV21 ka bërë të ditur disa nga çështjet kryesore që do të trajtojë në Kuvend, duke vënë theksin te pasivizimi i adresave, çështja e diplomave dhe zhvillimi ekonomik i Luginës së Preshevës.
Kamberi tha se këto çështje do të jenë ndër temat qendrore që do të diskutojë, duke theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvend duhet të shërbejë për adresimin e problemeve me të cilat përballen ata.
Ai bëri të ditur se ka iniciuar kërkesë drejtuar Qeverisë për ndarjen e një fondi të veçantë prej 10 milionë eurosh për zhvillimin e Luginës së Preshevës.
“Do të jenë ndër temat qendrore që do t’i diskutojmë. Çështja e diplomave dhe pasivizimi i adresave janë tema të rëndësishme. Unë, kam iniciuar një kërkesë të veçantë drejtuar Qeverisë për një fond prej 10 milionë eurosh për zhvillimin e Luginës së Preshevës. Këto do të jenë ndër temat kryesore që janë pjesë e planit shtatëpikësh”, deklaroi Kamberi.
