Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV solli në vëmendje zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar, me fokus te java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore”, ecuria e skuadrave, mungesa e Ligjit të Sponsorizimit në sport, si dhe paraqitjet e futbollistëve shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin drejtori i PR i Dinamo City, Andi Verçani, dhe trajneri i futbollit, Olsi Teqja.

Një nga temat kryesore të emisionit ishte java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore”, me analizën e rezultateve dhe ndryshimeve në klasifikim. Dinamo City fitoi përballjen me Egnatian, duke ngushtuar diferencën me kreun, ndërsa Vllaznia triumfoi në klasiken ndaj Tiranës. Për skuadrën shkodrane, trajneri Csaba László po jep sinjalet e para pozitive.

Në ndeshjet e tjera, Laçi u rikthye te fitorja pas suksesit 1-0 ndaj Vorës, ndërsa Teuta u ndal pas gjashtë fitoreve radhazi, duke barazuar pa gola me AF Elbasanin në stadiumin “Niko Dovana”. Skënderbeu fitoi 2-0 ndaj Partizanit, që po kalon një periudhë të vështirë, me pesë humbje radhazi në kampionat dhe vetëm një fitore në tetë javët e para.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mungesës së Ligjit të Sponsorizimit në sport, pas vendimit të qeverisë për të mos e mbështetur këtë nismë. Në diskutimin me të ftuarit u trajtua rëndësia e sponsorizimeve për zhvillimin e sportit shqiptar, mundësitë që do të krijonte një kuadër ligjor për nxitjen e investimeve private dhe sfidat që sjell mungesa e tij për klubet dhe komunitetin e futbollit.

Një tjetër temë ishte aventura e Egnatias në UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë regjistruan një tjetër barazim në këtë kompeticion, këtë herë 1-1 në transfertë ndaj Aarhus, duke vijuar paraqitjet e tyre në arenën europiane.

Në emision u fol edhe për Kombëtaren shqiptare, që po përgatitet për ndeshjen e radhës në UEFA Nations League. Kuqezinjtë do të përballen me Finlandën më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e parafundit të Grupit C1.

Në fokus ishin edhe paraqitjet e legjionarëve shqiptarë në kampionatet europiane. Myrto Uzuni spikati me një dopietë, ndërsa gola shënuan edhe Qazim Laçi, Jasir Asani dhe Nedim Bajrami. Ernest Muçi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke dhënë tri asiste dhe kontribuar në një tjetër gol, ndërsa Kerjota regjistroi një asist.

Pjesë e emisionit ishte edhe UEFA Regions’ Cup, ku Kombëtarja shqiptare do të debutojë ndaj Sllovakisë, si dhe zhvillimet në Elite Youth Development Academy. Në këtë akademi, talentët e rinj patën mundësinë të takoheshin me mbrojtësin e Kombëtares, Elseid Hysaj.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare, paraqitjet e legjionarëve dhe aktivitetet e projektet e FSHF-së.

The post Nga Abissnet Superiore e te zhvillimet më të fundit, gjithçka që u diskutua në “Shtëpinë e Futbollit” appeared first on Telesport.