Këta do të jenë robotët e së ardhmes, risia më e fundit e Teslas. Robotët “Optimus” u prezantuan për herë të parë para publikut në një shfaqje të rrallë në Kaliforni. Ata u panë duke ecur jashtë, duke shërbyer pije dhe duke shpërndarë çanta dhuratash për të pranishmit.
Sipas shefit të Teslas, Elon Musk, robotët humanoidë do të jenë në gjendje të bëjnë detyra të zakonshme duke qenë miqësore me njerëzit. Në një video prezantimi ata shihen duke bërë punë shtëpia si ujitja e bimëve apo marrja e pakove të postës.
Musk mbërriti në ceremoni me këtë automjet të rrallë të aftë për të ecur vetë. Automjeti nuk ka timon dhe as pedale frenimi, një risi mjaft e rëndësishme teknologjike.
Musk tha se makina të këtij lloji do të prodhohen nisur nga viti 2026 dhe do të vijnë për klientët me një çmim rreth 30 mijë dollarë. Ai garanton se makinat autonome do të jenë më të sigurta se ato që drejtohen nga njeriu pasi mbështeten në Inteligjencën Artificiale dhe kamerat dhe nuk kanë nevojë për pajisje të tjera./Tv Klan


