Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që një grua ta pasojë presidentin aktual Frank-Walter Steinmeier, pasi atij t’i përfundojë mandati i dytë pesëvjeçar në marsin e ardhshëm.

“Gjermania ka 77 vjet histori si Republikë Federale, por asnjëherë nuk ka pasur një grua presidente”, deklaroi Merkel në një intervistë për MagentaTV, të transmetuar sot.

Sipas saj, është koha që të shtrohet pyetja nëse tashmë ka ardhur momenti që një grua të marrë këtë post.

“Njoh gra që tashmë kanë lindur dhe që do të mund ta bënin këtë punë”, tha Merkel në emisionin Bestbesetzung, pa përmendur emra konkretë, raportoi DPA.

Presidenti i ri i Gjermanisë do të zgjidhet më 30 janar nga Asambleja Federale, një organ i posaçëm kushtetues që mblidhet çdo pesë vjet me qëllim zgjedhjen e kreut të shtetit.

Prej disa muajsh, lideri i partisë bavareze CSU, Markus Söder, po mbështet kryetaren e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner, si pasuese të Steinmeierit.

Ndër emrat e tjerë që përmenden në bllokun konservator janë edhe kryetarja e Parlamentit gjerman, Julia Klöckner, ministrja e Arsimit, Karin Prien, si dhe ish-liderja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer.