Vetëm disa orë pas marrjes së licencës së punës së Alta Bankës në Serbi, reagime dhe shqetësim edhe në vend. Që nga mëngjesi, qytetarët janë para ekspoziturave të kësaj banke në Manastir dhe presin të tërheqin paratë e tyre. Nga Alta Banka SHA Manastir, ndërkaq, kanë njoftuar se nuk ka vend për shqetësim, pasi banka është likuide, me punë të qëndrueshme dhe të pandërprerë. Siç shpjegojnë, ajo është person juridik i pavarur, i regjistruar në Maqedoni, i cili punon në përputhje me legjislacionin vendor dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore të Maqedonisë.

ALTA BANKA SHA MANASTIR:

“Alta Banka SHA Manastir është likuide dhe vazhdon me punën e rregullt dhe të pandërprerë. Të gjitha ekspoziturat dhe bankomatet funksionojnë normalisht, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre. Klientët mund të disponojnë lirisht depozitat e tyre, të tërheqin para të gatshme dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare sipas kushteve të zakonshme të punës. Ngjarjet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim të gjendjes financiare ose të statusit juridik të Alta Bankës SHA Manastir”

Edhe nga Banka Popullore u prononcuan me tone qetësuese, duke theksuar se vendimi për marrjen e licencës së punës së Alta Bankës i referohet vetëm funksionimit të bankës në Serbi dhe se kjo nuk ndikon në punën e bankës në vend, e cila është e regjistruar këtu dhe funksionimi i së cilës vlerësohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore vendore.

BANKA POPULLORE:

“Banka Popullore thekson se vendimi për marrjen e licencës i referohet punës së bankës në Republikën e Serbisë dhe në vetvete nuk nënkupton marrjen automatike të licencës së punës së Alta Bankës SHA Manastir. Banka Popullore, si mbikëqyrëse kompetente, e ndjek gjendjen dhe vepron në përputhje me dispozitat ligjore. Banka Popullore i ndjek edhe të gjitha rrethanat që mund të ndikojnë në punën e bankës vendore, përfshirë edhe rreziqet që rrjedhin nga lidhja e saj pronësore”

Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës Alta Bankës SHA Beograd për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare dhe rrezikimit të interesave të depozituesve. Që nga mëngjesi, radhë qytetarësh janë krijuar para ekspoziturave të kësaj banke në Serbi, të shqetësuar për paratë e tyre.