Stresi kritikon studentët, braktis protestën: Kokë turku nuk bëhem, nuk duan t’a rrëzojnë Ramën

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ka paralajmëruar largimin nga protesta, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet qëndresa. Sipas tij, protesta nuk po shkon drejt rrëzimit të qeverisë.

Reagimi vjen vetëm një ditë pas incidenteve në protestën e të shtunës, ku deputetë të PD-së nuk u pranuan në protestën e studentëve. Përmes një postimi në “Instastory”, reperi shkruan se nuk dëshiron që të vazhdojë të qëndrojë në protestë, duke pretenduar se pjesëmarrësit nuk duan realisht rrëzimin e Edi Ramës.

“Byeeeeeeeeee. Kokë turku nuk bohem. Nuk dun me e rrëzu Ramën. E gëzofshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jua shpjegoj që s’dun me e rrëzu Edi Ramën”, shkruan ai.

Stresi shton se nuk ka ardhur për t’u “rraskapitur çdo ditë pa lidhje”, ndërsa shprehet se për rrëzimin e qeverisë do të nevojitej, sipas tij, një “kryengritje”.

“Nuk erdha me u rraskapit çdo ditë pa lidhje, sepse shteti është shtet dhe shteti do kryengritje me u rrëzu, ndryshe përditë ai fuqizohet dhe ty të shkatërron si popull”, shkruan Stresi.

Në këtë kontekst, largimi i paralajmëruar nga Stresi mund të lidhet edhe me përplasjen mes protestuesve dhe figurave të PD-së.