Jake Paul ka konfirmuar kampionin e kikboksit, Cedric Doumbe, si kundërshtarin e tij për rikthimin në ringun e boksit në Dubai, në prag të Krishtlindjeve.
Kjo është ndeshja e parë e Paul që kur u përball me ish-kampionin e botës në peshën e rëndë Anthony Joshua. Në atë ndeshje, Paul pësoi thyerje të nofullës pas një goditjeje në raundin e gjashtë.
Gjatë vitit 2024, YouTuber-i i kthyer në boksier u ndesh gjithashtu me Mike Tyson, i cili në atë kohë ishte 58 vjeç. Që nga debutimi i tij profesional, ai ka regjistruar një bilanc prej 12 fitoresh e 2 humbjesh, përfshirë shtatë fitore me nokaut.
Doumbe është ish-kampion bote në kikboks (në peshën “welterweight”), titull të cilin e ka fituar dy here, me një bilanc prej 75 fitoresh, 7 humbjesh dhe 1 barazimi (45 fitore me nokaut).
34-vjeçari më pas kaloi në MMA, duke regjistruar gjashtë fitore me nokaut në shtatë ndeshjet e tij të para profesionale. Fitorja spektakolare me nokaut ndaj Jordan Zebo ndihmoi në forcimin e reputacionit të tij.
Francezi Doumbe, me origjinë nga Kameruni, ka zhvilluar më parë një ndeshje në boksin profesionist, ku mundi Mohamed Fodil me pike, pas një dueli prej katër raundesh në vitin 2015.
Përballja e tij me Paul do të jetë një ndeshje zyrtare boksi prej tetë raundesh në kategorinë “cruiserweight” (pesha deri 91kg). Pas shpalljes së emrit të kundërshtarit, Paul u shpreh: “Cedric më sfidonte dy vite më parë, pasi kishte nokautuar një djalë në vetëm nëntë sekonda. Epo, ja ku e ke mundësinë tani”.
“Unë jam paksa ‘i ndryshkur’, nofulla ime nuk është në gjendje të mirë dhe nuk kam tituj botërorë në kikboks si ti. Por e di çfarë? Kjo nuk është kikboks, miku im. Kjo është boks. Unë do të të ha për darkë në Dubai, në prag të Krishtlindjeve“, tha Paul.
Ndërsa Doumbe replikoi: “Jake Paul e quan veten ‘Fëmija Problematik’, por ai nuk është përballur kurrë me një problem si unë. Jake e ka qejf të flasë, ashtu si edhe unë, por pas asaj që Joshua i bëri nofullës së tij, nuk jam i sigurt se sa i ka mbetur për të folur. Unë do ta çoj deri në fund punën që nisi Joshua.”
The post Zyrtare: Jake Paul rikthehet në ring pas thyerjes së nofullës, duel me kampionin e kickbox ditën e Krishtlindjes appeared first on Telesport.
