E sapozgjedhura në krye të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Iskra Haxhi Vasileva, deklaroi se presionet ndaj prokurorëve janë realitet me të cilin përballet ky profesion, por theksoi se prokurorët duhet të mbeten të qëndrueshëm dhe të marrin vendime vetëm në bazë të ligjit, fakteve dhe provave, përcjell TV21. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas seancës gjyqësore për rastin kundër gjykatësit Gjoko Ristov, lidhur me zgjedhjen e saj, Haxhi Vasileva theksoi se integriteti është thelbësor për punën e pavarur të prokurorëve.

“Ndoshta është e natyrshme që puna e prokurorit, për nga vetë natyra e saj, të përballet me presione të caktuara. Është përgjegjësia jonë si prokurorë të jemi rezistentë dhe të vendosim kufi ndaj këtyre presioneve. Nuk duhet të kemi frikë. Presionet ndoshta janë pjesë e natyrës njerëzore, ashtu siç është edhe integriteti, për të cilin jam e bindur se e kanë një numër i madh i prokurorëve”, deklaroi ajo.

E pyetur se si do të vepronte në rast se do ta telefononte një funksionar i lartë shtetëror, Haxhi Vasileva tha se komunikimi institucional është normal, por jo edhe ndërhyrjet e mundshme në lëndë konkrete.

“Nuk ka asgjë të diskutueshme që organet dhe institucionet të bashkëpunojnë. Kjo është e natyrshme, logjike dhe e arsyeshme. Nëse mendoni për ndërhyrje apo kërkesa për urgjencë në raste konkrete, atëherë kjo është çështje tjetër. Ne, në përputhje me Kushtetutën, jemi të pavarur dhe vendosim në bazë të ligjit, fakteve dhe provave”, theksoi Haxhi Vasileva.

Ajo bëri të ditur se zyrtarisht detyrën do ta marrë pas përfundimit të procedurave ligjore, gjatë dy javëve të ardhshme. Më pas, tha se do t’i kushtohet çështjeve organizative dhe rritjes së efikasitetit të ndjekjes penale.