Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot në Bruksel mori pjesë në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar nga “Euronews”, ku theksoi se dialogu me BE-në duhet të jetë thelbësor dhe i barabartë.
Siljanovska-Davkova rikujtoi mendimin e Komisionit të Badinterit të vitit 1992, sipas të cilit Sllovenia dhe Maqedonia i plotësonin kushtet për njohje ndërkombëtare, veçanërisht në aspektin e rregullimit kushtetues dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Sipas saj, pas më shumë se tri dekadash, pyetja pse njëra shtet është anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa tjetra ende pret perspektivën evropiane, tregon mungesën e vullnetit politik te disa vende fqinje, njoftojnë nga Kabineti i Presidentes.
Duke folur për ndryshimet kushtetuese, presidentja theksoi se në vitin 2018, përmes Marrëveshjes së Prespës, shteti ndryshoi emrin kushtetues, ndërsa qytetarëve iu prezantua se kjo ishte pengesa e fundit në rrugën drejt integrimit evropian.
Ajo theksoi se kërkesa e përsëritur për ndryshimin e Kushtetutës, e cila deri më tani është ndryshuar 36 herë, kryesisht nën presion të jashtëm, nuk mund të garantojë përparim. Sipas saj, vendimi është në kompetencë të Kuvendit, ndërsa legjitimiteti i tij buron nga qytetarët.
Sipas Siljanovska-Davkovës, Bashkimi Evropian nuk është vetëm një makineri politike dhe burokratike, por një bashkësi vlerash dhe parimesh. Duke iu referuar dokumenteve themeluese të BE-së për respektimin e identitetit kombëtar dhe kulturor, ajo theksoi se diversiteti është një nga vlerat themelore të unitetit evropian.
Duke iu referuar fjalimit të kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, presidentja theksoi se Maqedonia e Veriut pret trajtim të barabartë me vendet e tjera kandidate, bazuar në zbatimin e rregullave dhe standardeve të njëjta.
Ajo kërkoi gjithashtu përfshirje të barabartë në aktivitetet përgatitore për negociatat e anëtarësimit dhe mundësi për përparim në përputhje me kushtet e plotësuara.
Presidentja u ndal edhe te nevoja për dialog thelbësor mes Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, ku të dyja palët do të kenë mundësi të paraqesin argumentet e tyre.
Sipas saj, vullneti politik nuk mund të kërkohet vazhdimisht vetëm nga vendet kandidate, por duhet të dëshmohet edhe nga vetë Bashkimi Evropian, veçanërisht përmes gjetjes së zgjidhjeve kreative për tejkalimin e bllokadës shumëvjeçare.
Si mundësi për përshpejtimin e procesit, Siljanovska-Davkova sheh integrimin gradual përmes qasjes në tregun e përbashkët, mekanizmave të komitologjisë, digjitalizimit dhe politikave të tjera evropiane.
Ajo theksoi se vendi ka harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe se, si anëtare kredibile e NATO-s, ka përcaktim të qartë euroatlantik.
Sa u përket reformave, presidentja vlerësoi se ekzistojnë kapacitete për përparim në sundimin e ligjit, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, por zbatimi i tyre kërkon vullnet të brendshëm politik, si dhe mbështetje nga Bashkimi Evropian.
Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, Siljanovska-Davkova rikujtoi takimet e deritanishme me presidentët dhe përfaqësuesit e qeverisë bullgare, duke theksuar se do të vazhdojë të angazhohet për dialog.
Samiti ishte përqendruar në fazën e ardhshme të zgjerimit të BE-së, përparimin e vendeve kandidate dhe reformat, si dhe sfidat institucionale me të cilat përballen vendet aspirante dhe vetë Bashkimi Evropian.
Gjatë vizitës në Bruksel, Siljanovska-Davkova do të zhvillojë takime edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe me komandantin suprem të Forcave Aleate në Evropë, gjeneralin Alexus Gregory Grinkevich, në Shtabin Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), në Mons. Janë paraparë edhe takime me përfaqësues të institucioneve evropiane.
