Avioni i kompanisë ajrore “Air Serbia”, që po fluturonte drejt Moskës, u kthye mbrëmë vonë në Beograd për kontrolle shtesë të sigurisë ndaj njërit prej pasagjerëve, njoftoi kompania kombëtare ajrore serbe.

“Air Serbia” bëri të ditur se kishte vepruar në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kompetente dhe procedurat në fuqi, pasi kishte marrë informacione për nevojën e kryerjes së kontrolleve shtesë të sigurisë.

Aplikacioni Flightradar24 tregoi se avioni ishte kthyer në gjysmë të rrugës drejt Moskës dhe kishte ateruar në mënyrë të sigurt në Beograd.

Mediat serbe raportuan se në avion ndodhej Aleksandar Vulin, ish-ministër në disa dikastere dhe ish-shef i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), njëherësh aleat i ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas mediave serbe, Vulin ishte futur në avion pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë dhe se “dikush e kishte ndihmuar” për ta bërë këtë.

Në avion, sipas të njëjtave raportime, ndodheshin edhe drejtori i “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq, si dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popoviq.