Dy persona gjenden pa jetë në Bogdancë, njëri brenda një automjeti të djegur
Dy persona janë gjetur pa shenja jete në Bogdancë, njëri pranë një automjeti të djegur dhe tjetri brenda tij. Autoritetet po hetojnë shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 3 nëntor 2026, në orën 18:40, T.K. nga Bogdanca ka raportuar se në vendin e quajtur “Içeva Çeshma”, në Gorno Sello, kishte vërejtur një automjet të parkuar të përfshirë nga zjarri dhe një trup pranë tij.
Policët e mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar se personi pranë automjetit ishte V.G. (21) nga Bogdanca. Vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjevgjelisë.
Pas vënies së zjarrit nën kontroll nga zjarrfikësit, brenda automjetit është gjetur edhe një person tjetër pa shenja jete, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Për rastin është njoftuar prokurori publik i Prokurorisë Themelore të Gjevgjelisë dhe është kryer këqyrja. Me urdhër të prokurorit, trupat janë dërguar për autopsi, për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe identifikimin e personit të gjetur brenda automjetit.
MPB njofton edhe për një denoncim të mëparshëm ndaj 21-vjeçarit
Në njoftimin e saj, MPB ka bërë të ditur se ndaj V.G. ishte paraqitur më herët një denoncim për dhunë ndaj një 17-vjeçareje me të cilën kishte qenë në lidhje.
Sipas denoncimit të babait të vajzës, ngjarja kishte ndodhur më 30 shtator në shtëpinë e V.G. në Bogdancë. Ai dyshohej se e kishte sulmuar fizikisht të miturën, e kishte kërcënuar dhe i kishte dëmtuar telefonin për ta penguar të thërriste policinë.
Vajza kishte arritur të largohej përmes një dritareje. Kalimtarë të rastit i kishin ofruar ndihmë dhe kishin njoftuar policinë, ndërsa ajo ishte dërguar për ndihmë mjekësore.
V.G. ishte privuar nga liria më 1 tetor. Më 14 tetor, ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal nën dyshimin për veprën “Lëndim trupor”.
Në njoftimin policor nuk konfirmohet ndonjë lidhje mes këtij denoncimi dhe ngjarjes së 3 nëntorit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
/Monitor.mk
