Një skandal i dyshuar për rrjedhje informacioni ka përfshirë çmimin prestigjioz të futbollit, “ Topi I Arte”. Policia franceze ka nisur hetimet për një rast të mundshëm të basteve të paligjshme dhe tregtimit të informacionit të brendshëm, pasi 12 llogari në platformën online Polymarket parashikuan me saktësi renditjen e pesë futbollistëve të parë.

Sipas burimeve në autoritetet franceze, të cituara nga prestigjiozja britanike “The Athletic”, bastet kishin parashikuar saktësisht këtë renditje: Harry Kane në vendin e parë, i ndjekur nga Kylian Mbappe, Lamine Yamal, Rodri dhe Lionel Messi.

Në total, në këto llogari ishin vendosur rreth 250 mijë euro, ndërsa fitimet arritën në afro 200 mijë euro. Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të mënyrës se si lojtarët e basteve administruan pozicionet e tyre në treg, sjellje që sipas hetuesve mund të tregojë përdorimin e informacionit konfidencial.

Organizatorët e çmimit, France Football, thuhet se ishin paralajmëruar për parregullsitë përpara shpalljes zyrtare të rezultatit. Pas ceremonisë, institucioni nisi një hetim të brendshëm dhe kontaktoi shërbimin policor francez përgjegjës për lojërat e fatit.

Në një deklaratë për “The Athletic”, France Football theksoi se integriteti i çmimit është prioritet absolut, duke shtuar se po përgatit një kallëzim pranë autoriteteve dhe se hetimet do të përcaktojnë nëse ka pasur rrjedhje informacioni apo përgjegjësi konkrete.