Një faqe në Facebook, disa episode seriali dhe dyshime për shkeljen e të drejtave autoriale. Kjo është ajo që çoi në hetimin e një 46-vjeçari nga Shkupi, i cili dyshohet se ka publikuar përmbajtje televizive pa autorizim, përcjell TV21. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dyshuari, gjatë vitit 2024, si administrator i një faqeje në Facebook, ka publikuar episode të një seriali televiziv, të drejtat ekskluzive të të cilit i përkisnin një televizioni dhe ishin dhënë për transmetim vetëm përmes marrëveshjes kontraktuale.

Pas kallëzimit të televizionit, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka urdhëruar hetim, ndërsa Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka marrë në pyetje të dyshuarin dhe ka sekuestruar përkohësisht një pajisje elektronike. Analiza forenzike e pajisjes ka konfirmuar dyshimet e ngritura.

“Pas kryerjes së analizës forenzike të pajisjes elektronike, u konfirmuan pretendimet e paraqitura në kallëzimin e televizionit, si dhe deklarata e dhënë nga personi i denoncuar gjatë bisedës informative”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndaj 46-vjeçarit është paraqitur kallëzim penal për dy vepra, cenim të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, si dhe pirateri të veprës audiovizuale.