Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi opozitën se po përhap histeri në lidhje me gjendjen me Alta Bankën në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Mickoski i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë deklaratat që vijnë nga opozita.

“Lajm i mirë për qytetarët, edhe në skenarin më të keq. Ja, ju shikoj në sy përmes kamerave dhe ju them se çdo qytetar, çdo kreditor, do të kompensohet deri në qindarkën e fundit. Ju lutem, mos iu nënshtroni kësaj histerie që po nxitet nga opozita. Dhe në fund, dua të them se ka ardhur koha që Prokuroria Publike të merret edhe me këtë vepër penale të sabotimit, në përputhje me Kodin Penal, e cila po kryhet nga opozita, e cila me vetëdije po shkatërron Kushtetutën dhe rendin shtetëror, duke përhapur gënjeshtra, trazira dhe duke i futur kështu qytetarët në një gjendje pasigurie dhe frike. Dhe kjo vepër penale, ju kujtoj, dënohet me burgim të paktën tre vjet, sipas Kodit të ri Penal, të cilin e ndryshuan në vitin 2023”, deklaroi Mickoski.

Mickoski siguroi qytetarët që edhe në skenarin më të keq, respektivisht në rast të falimentimit, qytetarët do të kompensohen deri në qindarkën e fundit, ndëra tha se shteti ka mekanizma dhe se po e monitoron situatën.

“Apeloj te qytetarët, ju lutem qëndroni të qetë, mos u ndikoni nga histeria dhe gënjeshtrat që po përhapen nga opozita. Shteti ka instrumentet, po monitoron procesin dhe asnjë depozitues nuk do të mbetet pa kompensim, në rast se ndodh skenari më i keq dhe banka shkon në falimentim. Çdo depozitues, qoftë individ apo kompani, do të kompensohet deri në qindarkën e fundit. Por ajo që po bëjmë tani, sepse ne jemi një qeveri që ndërton shtetin, jo një opozitë e ngarkuar nga ndarjet e brendshme, mosmarrëveshjet dhe akuzat se sa kriminal ka qenë secili ndaj tjetrit, është se ata tani e shohin këtë si një mundësi për t’u futur vetë në lojë dhe për të krijuar një demokraci rrugore, në vend që ne të jemi shembulli për rajonin që jemi sot. Ju shihni çfarë po ndodh kudo. Këtu, ne jemi një shembull për rajonin dhe për këtë arsye po vijnë këto rezultate ekonomike. Dhe për këtë arsye, kur flas dhe kërkoj investime tani në Gjermani, ata vijnë, sepse thonë se ky është një faktor stabiliteti. Dhe për këtë arsye, ne do të njoftojmë tre fabrika në dhjetor që do të ndërtohen, dhe kjo është një lajm i keq për opozitën tonë”, tha Mickoski.