Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe një nga çështjet më shqetësuese në vend. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 vlerëson se vendi ka nivel të caktuar deri në mesatar të përgatitjes në këtë fushë, por thekson se rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbeten të pamjaftueshme, veçanërisht në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, raporton Portalb.mk.
Sipas raportit, rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten në procedurat gjyqësore dhe shpesh përfundojnë me parashkrim, duke e forcuar perceptimin e pandëshkueshmërisë. Edhe pse janë hapur hetime për keqpërdorimin e fondeve publike dhe forma të tjera të korrupsionit, përpjekjet hetimore nuk po përkthehen në rezultate konkrete gjyqësoredhe rikuperim të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.

“Maqedonia e Veriut ndodhet në mes të një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e tij. Korrupsioni mbetet i përhapur dhe përbën çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.
Raporti përmend disa raste që kanë çuar në ngritjen e aktakuzave, përfshirë rastin ndaj drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Po ashtu, ishzëvendëskryeministrim, ndaj të cilit ishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe i cili u kthye në vend dhe po gjykohet për akuza që lidhen me korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shkeljen e ligjeve për prokurimet publike.
“Rezultatet në luftën kundër korrupsionit kanë mbetur të pandryshuara si në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, ashtu edhe në ato të nivelit më të ulët. Janë iniciuar hetime të ndryshme për korrupsion, që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e fondeve publike dhe forma të tjera të korrupsionit. Disa nga hetimet kanë çuar në ngritjen e aktakuzave, siç është rasti që përfshin drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Një ish-zëvendëskryeministër, ndaj të cilit ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar, është kthyer në vend, është vendosur në arrest shtëpiak dhe po gjykohet për akuza që lidhen me korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shkeljet e ligjeve për prokurimet publike. Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë sfida të konsiderueshme sistemike për shndërrimin e përpjekjeve hetimore në rezultate konkrete, veçanërisht sa i përket procedurave gjyqësore efektive dhe rikuperimit të pasurisë”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian vlerëson se bilanci i rasteve të korrupsionit ka mbetur i pandryshuar, si në rastet e nivelit të lartë, ashtu edhe në ato të nivelit më të ulët. Të dhënat e paraqitura në raport tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 54 hetime të reja për korrupsion të nivelit të lartë, kundrejt 22 në vitin 2024. Megjithatë, numri i aktakuzave ka rënë nga 40 në vitin 2024 në 29 në vitin 2025. Në të njëjtin vit janë regjistruar 17 vendime përfundimtare gjyqësore dhe 12 dënime përfundimtare.
Sa i përket rasteve të korrupsionit të nivelit më të ulët, në vitin 2025 janë regjistruar 131 hetime të reja dhe 126 aktakuza. Megjithatë, të dhënat tregojnë se janë shqiptuar vetëm shtatë dënime përfundimtare, ndërsa janë regjistruar 39 vendime përfundimtare gjyqësore.
Një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian lidhet me ndryshimet e shpeshta të Kodit Penal. Sipas raportit, Kodi është ndryshuar tri herë brenda tre vjetësh, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë juridike. Ndryshimet e janarit 2026 për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe bashkimin kriminal nuk i kanë adresuar në mënyrë të mjaftueshme pasojat e ndryshimeve të vitit 2023. Edhe pse është rikthyer dispozita për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në prokurimet publike, ajo ka një fushëveprim më të ngushtë se dispozita e mëparshme dhe mbulon vetëm dy baza të veprës penale.
“Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, nuk i korrigjojnë pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023. Është rikthyer një dispozitë e veçantë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në prokurimet publike, por me një fushëveprim shumë më të ngushtë sesa ai që kishte para vitit 2023. Vepra penale mbulon vetëm dy baza, gjë që është tepër e kufizuar për të trajtuar manipulimet e tjera serioze procedurale gjatë procesit të tenderimit dhe për këtë arsye duhet të zgjerohet. Ndryshimet gjithashtu nuk e adresojnë në mënyrë të mjaftueshme ndikimin e ndryshimeve të vitit 2023 në afatet e parashkrimit”, thekson raporti.
Raporti thekson gjithashtu se cilësia e aktakuzave, administrimi i provave dhe arsyetimi i aktgjykimeve mbeten të dobëta dhe jokonsistente. Mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe zvarritjet gjyqësore, pengojnë krijimin e një bilanci të qëndrueshëm të rasteve të korrupsionit, përfshirë edhe rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike.
Probleme janë evidentuar edhe në punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas Komisionit Evropian, institucioni përballet me mungesë të burimeve dhe ekspertizës teknike, çka e kufizon mbikëqyrjen e financimit të fushatave politike dhe verifikimin e deklaratave të pasurisë. Raporti kërkon që Komisioni të jetë më proaktiv në identifikimin e rasteve të mundshme të keqpërdorimeve.
“Aftësia e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të mbikëqyrur në mënyrë efektive financimin e fushatave politike vazhdon të pengohet nga burimet e kufizuara, ekspertiza e pamjaftueshme teknike dhe mangësitë e mospërputhjet në kornizën ligjore. Kjo përfshin mungesën e përcaktimit të qartë të përgjegjësive institucionale lidhur me institucionin që duhet të iniciojë procedurat ose të shqiptojë sanksione, siç ka theksuar vazhdimisht edhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)”, thotë raporti.
Mangësi janë konstatuar edhe në zbatimin e ligjeve për qasje të lirë në informata, lobim dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Disa institucione publike refuzojnë ose vonojnë dhënien e informatave për arsye arbitrare, ndërsa në regjistrin e lobimit janë të evidentuar vetëm një lobist dhe tri organizata lobuese. Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ndërkaq, ende nuk është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe nuk siguron mekanizma të mjaftueshëm për zbatimin e tij. Personat që raportojnë parregullsi mund të përballen me ngacmime dhe largim nga puna.
Për vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian rekomandon miratimin e një Kodi të ri Penal dhe të një Ligji të ri për procedurën penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së. Po ashtu, kërkohet përmirësim i rezultateve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, përmes hetimeve dhe ndjekjeve penale në kohë, vendimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale.
Komisioni kërkon edhe shtimin e burimeve njerëzore dhe financiare për Prokurorinë Publike, Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar, të cilat nuk janë zbatuar, mbeten ende të vlefshme.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
The post Hetime ka, por dënime mungojnë: BE-ja kritikon Maqedoninë e Veriut për dështimin në luftën kundër korrupsionit! first appeared on .
