Qeveria ka miratuar kornizën dhe draft-marrëveshjen me Bashkimin Evropian për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në skemën „Roaming si në shtëpi“. Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski bëri të ditur se drafti i është dërguar Komisionit Evropian me disa vërejtje, ndërsa marrëveshja do t’u mundësojë qytetarëve të përdorin internetin, telefonatat dhe SMS-të në vendet e BE-së me çmimet e paketave vendore, pa tarifa shtesë roamingu.

“Pra, qytetarët e Maqedonisë, kur udhëtojnë në Bashkimin Evropian, të mund ta përdorin internetin, telefoninë mobile dhe mesazhet SMS me të njëjtat çmime. Para një jave, në Qeveri miratuam edhe kornizën, edhe draft-marrëveshjen, që do të thotë se tashmë e kemi tekstin e draft-marrëveshjes. E kemi kthyer atë në Komisionin Evropian me komente. Kjo është mënyra se si zhvillohen negociatat dhe pres që në një periudhë të shkurtër të marrim përgjigje, për të parë se ku mund të gjejmë dakordim lidhur me disa nga vërejtjet që i kishim”, tha Stefan Andonovski.

Këtë Andonovski e tha në konferencën për media ku doli për t’u lavdëruar se në raportin për vitin 2026 Komisionit Evropian ka konstatuar “përparim të mirë” në transformimin digjital dhe mediat në Maqedoninë e Veriut, duke e vlerësuar nivelin e përgatitjes si “mesatar deri në të mirë”. Sipas tij, deri në fund të gushtit në Portalin Kombëtar kanë qenë të disponueshme 338 shërbime elektronike, ndërsa numri i shkëmbimeve mujore të të dhënave mes institucioneve është rritur në 5.2 milionë gjatë vitit 2026.

“Këtu parimi ynë është shumë i thjeshtë: institucionet duhet të shkëmbejnë të dhëna, e jo qytetarët dokumente. Nga qytetari nuk duhet të kërkojmë të jetë ndërmjetës mes dy institucioneve shtetërore. Prandaj, nevojitet punë e vazhdueshme për ndërlidhjen e regjistrave, të dhëna cilësore, rregulla të qarta dhe institucione që i zbatojnë ato rregulla. Obligimi ynë është ta vendosim sistemin, ndërsa nga secili institucion pres pjesëmarrje aktive dhe që t’i përshtatë procedurat e veta”, deklaroi Stefan Andonovski.

Andonovski theksoi se prioritet mbetet përfundimi i procedurave tërësisht online, pa pasur nevojë që qytetarët të paraqiten fizikisht në institucione. Ai paralajmëroi edhe zgjerimin e sistemit elektronik të dokumenteve, përmirësimin e aplikacionit “m-uslugi” dhe zhvillimin e portofolit digjital.