Shkup, 8 nëntor – A po fillon mungesa e parave në arkën e shtetit të ndihet edhe te pagat e punonjësve? Në kohën kur vendi po përballet me zhvillimet lidhur me Alta Bankën, LSDM-ja ngre alarmin për vonesa në pagesën e pagave në disa institucione shtetërore, përfshirë kompaninë më të madhe energjetike në vend, Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM). Nga partia opozitare pretendojnë se punonjësit, të cilët zakonisht i merrnin pagat gjatë pesë ditëve të para të muajit, këtë herë kanë mbetur në pritje, pa një afat të qartë se kur do t’u transferohen mjetet.
Përmes një kumtese, LSDM-ja ka njoftuar se ka pranuar informacione dhe reagime nga punonjës të disa institucioneve për vonesat në pagesën e pagave të tetorit. Sipas partisë, situata është veçanërisht shqetësuese në ESM, ku punonjësit pretendohet se janë informuar përmes mesazheve telefonike se ende nuk dihet data e saktë e pagesës. “Punonjësit e ESM-së kanë marrë edhe mesazhe SMS se ende nuk dihet saktësisht kur do të paguhet paga e tetorit dhe se duhet të jenë të durueshëm”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Nga partia theksojnë se, sipas informacioneve që kanë marrë, vonesa të tilla nuk kanë qenë praktikë e zakonshme në këtë kompani.
Përveç vonesave të pagave, LSDM-ja pretendon se probleme janë paraqitur edhe në realizimin e pagesave nga institucionet komunale. Sipas opozitës, nga disa komuna kanë mbërritur reagime se nuk po arrijnë të realizojnë pagesa përmes sistemit të Thesarit. Partia kërkon sqarime nga Qeveria nëse këto vështirësi lidhen me gjendjen e likuiditetit të buxhetit shtetëror. “Çfarë po ndodh? A e kanë zbrazur Mickoski dhe VMRO-ja e tij deri në atë masë arkën e shtetit, saqë nuk mund të përmbushen më as detyrimet e rregullta?”, pyesin nga LSDM-ja.
Nga partia opozitare thonë se prej muajsh kanë paralajmëruar për përkeqësimin e gjendjes së financave publike dhe për rrezikun që, sipas tyre, paraqesin huamarrjet dhe shpenzimet buxhetore.
Në kumtesën e saj, LSDM-ja pretendon se deficiti buxhetor ka arritur në rreth 900 milionë euro, ndërsa borxhi publik po vazhdon të rritet. Sipas opozitës, politikat ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski kanë krijuar presion serioz mbi financat shtetërore. “Vrima në buxhet është rreth 900 milionë euro, ndërsa borxhi publik po rritet në mënyrë të pakontrolluar. Mickoski dhe VMRO-ja i kanë sjellë financat shtetërore në rrezik serioz. Me politikat e tyre kanë krijuar borxh të ri prej katër miliardë eurosh për dy vjet, ndërsa deri në fund të vitit borxhi do të tejkalojë 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, pretendojnë nga LSDM-ja.
Partia opozitare e lidh këtë situatë edhe me nevojën për rishikim të buxhetit dhe huamarrjet e reja. Sipas LSDM-së, gjendja e financave publike është arsyeja pse Qeveria nuk po siguron mjete për rritjen e pagës minimale dhe për mbështetjen e kategorive të caktuara. “Prandaj bëhet rishikimi i dytë i buxhetit, prandaj ka huamarrje. Prandaj nuk ka para për pagë minimale prej 600 eurosh, prandaj nuk ka para për bujqit. Arka është bosh”, thuhet në kumtesë.
Me këto akuza, LSDM-ja kërkon që Qeveria të sqarojë arsyet e vonesave të pretenduara në pagesën e pagave dhe problemet me realizimin e detyrimeve financiare.
The post LSDM-ja pyet: A është zbrazur arka e shtetit? first appeared on .
