Deputeti Rijad Shaqiri ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së liderit të Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili ka paralajmëruar se do ta braktisë Qeverinë në rast se provimi i jurisprudencës mundësohet të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Përmes një reagimi publik, Shaqiri i ka rikujtuar Dimitrievskit se Maqedonia e Veriut nuk është shtet vetëm i një komuniteti, por edhe i shqiptarëve, të cilët janë popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e këtij vendi.
Ai thekson se përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës nuk përbën privilegj apo kërkesë për trajtim të veçantë, por një të drejtë që buron nga realiteti shoqëror dhe kushtetues i shtetit.
“Ky shtet është edhe i shqiptarëve! Shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë vend, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e tij”, ka shkruar Shaqiri.
Në pjesën më të drejtpërdrejtë të reagimit, deputeti i është përgjigjur paralajmërimit të Dimitrievskit me një mesazh të prerë: “Nëse nuk të pëlqen ky realitet, Vranja e ke afër!”
Shaqiri ka përfunduar reagimin duke theksuar se shqiptarët nuk kërkojnë më shumë të drejta se të tjerët, por nuk do të pranojnë asnjëherë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
“Shqiptarët nuk kërkojnë më shumë se të tjerët, por as nuk pranojnë të trajtohen më pak se të tjerët!”, ka përfunduar deputeti Rijad Shaqiri.
The post 🔴 “Vranjën e ke afër!” – Deputeti Rijad Shaqiri i kundërpërgjigjet Maksim Dimitrievskit! first appeared on .
