Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka bërë një bilanc të punës gjatë vitit të parë në krye të komunës, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë projektesh në fushën e financave dhe infrastrukturës.
Qyra tha se komuna ka arritur të shlyejë rreth 2.5 milionë euro borxhe të trashëguara, të cilat, sipas tij, kanë qenë edhe objekt i procedurave përmbarimore.
Ai veçoi gjithashtu projektet infrastrukturore, duke bërë të ditur se shumica e tyre janë drejt përfundimit dhe se shkalla e realizimit arrin në rreth 80 për qind.
Mes projekteve të përmendura janë rruga e Kolektorit, rruga turistike, rruga e kampit, si dhe ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit për zëvendësimin e gypave të azbestit.
Qyra përmendi edhe projektin e kanalizimit në Vranishtë, i cili, sipas tij, është realizuar në rreth 90 për qind.
“Një vit më parë morëm obligimin nga qytetarët për të bërë atë që kemi premtuar. Mendoj se kemi punuar me përkushtim dhe sot kemi rezultate që qytetarët i kanë pritur. Kemi bërë histori para një viti dhe vazhdojmë ta bëjmë historinë me ndryshime”, u shpreh Qyra.
