Lamine Yamal është vënë në qendër të kritikave në Spanjë, pas vendimit për të mos luajtur kundër Republikës Çeke, për shkak të një shqetësimi në gju të pësuar në ndeshjen e fituar ndaj Atlético Madridit. Sulmuesi i Barcelonës pritet t’i bashkohet grupit të Luis de la Fuentes të premten dhe të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës kundër Anglisë.

Vendimi ka shkaktuar polemika, pasi disa e kanë interpretuar si një përpjekje për ta ruajtur Yamal vetëm për ndeshjen më prestigjioze. “Nëse nuk je i gatshëm të luash të enjten, nuk duhet të jesh as të dielën. Je i dëmtuar? Atëherë nuk vjen fare. Nuk më pëlqen kjo përzgjedhje sipas dëshirës”, – deklaroi gazetari Edu Aguirre.

Edhe Miguel Talavera kritikoi situatën: “Mesazhi që përcillet është se ky lojtar, ngaqë është special, mund të bëjë çfarë të dojë”. Trajneri De la Fuente i hodhi poshtë akuzat: “Nuk ka asgjë serioze. Ishte gati për të luajtur, por nuk ia vlen të rrezikojmë. Shëndeti i tij vjen i pari”. Ai sqaroi se vendimi u mor nga stafi i kombëtares dhe jo nga vetë lojtari.

 

The post Spanjë, polemika për Yamal. Akuzohet se i “përzgjedh” ndeshjet, De la Fuente e mbron appeared first on Telesport.