Doganat e Maqedonisë së Veriut kanë sekuestruar 168.7 kilogramë duhan të prerë në Prilep, gjatë një aksioni për kontrollin e produkteve të akcizës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, në aksionin e zhvilluar nga zyrtarët doganorë të Doganës së Manastirit dhe ekipet mobile në tregun e gjelbër dhe sheshin e qytetit në Prilep, janë kapur gjashtë persona duke shitur duhan pa pulla akcize.

Nga kjo veprimtari është shmangur pagesa e akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh. Për rastin është kërkuar edhe asistencë nga policia, ndërsa ndaj gjashtë personave janë iniciuar procedura përkatëse para gjykatës kompetente dhe Komisionit për Kundërvajtje.

“Me këtë veprim ata kanë shkelur rëndë ligjin, kanë dëmtuar Buxhetin e shtetit dhe kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Doganave.