Çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rënie në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, duke sjellë lehtësim për shoferët dhe konsumatorët.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), nafta do të lirohet për 5,5 denarë për litër, ndërsa benzinat për 7 denarë. Me çmimet e reja, një litër naftë do të kushtojë 94,5 denarë, apo rreth 1,54 euro.
Në Kosovë, çmimi mesatar i naftës ka rënë nga 1,83 në 1,79 euro për litër brenda 24 orëve të fundit, bëri të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI). Ndërkaq, benzina kushton mesatarisht 1,43 euro për litër.
Edhe në Shqipëri janë ulur çmimet e karburanteve. Sipas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, nafta nga 11 nëntori shitet me çmim maksimal prej 205 lekësh për litër, ndërsa benzina 164 lekë për litër. Të dyja kanë pësuar ulje prej 3 lekësh.
Kështu, në të tria vendet është regjistruar rënie e çmimeve të derivateve, megjithëse çmimet dhe mënyra e përcaktimit të tyre dallojnë nga një shtet në tjetrin, njofton TV21.
