Screenshot

Forumi Rinor Islam – Shkup ka hedhur poshtë pretendimet e publikuara në disa media, të cilat e lidhin organizatën me një vendim të Gjykatës Penale të Egjiptit. Përmes një demanti publik, FRI ka kërkuar verifikimin e identitetit juridik të subjektit të përmendur në dokumentet egjiptiane dhe ka paralajmëruar procedura gjyqësore për pretendimet që i cilëson të pavërteta dhe dëmtuese.

“Hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë dhe ndërlidhje të pabazuar e të pretenduar ndaj organizatës sonë”, thuhet në reagim.

Sipas FRI-së, përmendja e një emri në dokumente të institucioneve të huaja nuk mjafton për të përcaktuar se bëhet fjalë për të njëjtën organizatë. Për këtë, theksohet në demant, nevojiten dokumentacion zyrtar dhe verifikim i saktë.

Organizata deklaron se është e regjistruar dhe vepron në përputhje me legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. Ajo thekson se prej më shumë se 25 vitesh zhvillon veprimtari publike në fushën e edukimit, rinisë, kulturës dhe mbështetjes së arsimit.

Në reagim përmenden edhe projekte e bashkëpunime që, sipas FRI-së, janë realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, OSBE-së dhe institucioneve qendrore e lokale.

FRI kritikon gjithashtu gjendjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Egjipt, duke vënë në pikëpyetje bazueshmërinë e pretendimeve që lidhen me vendimin e gjykatës egjiptiane.

Organizata njofton se do të iniciojë procedura gjyqësore dhe do të kërkojë kompensim dëmi ndaj subjekteve për të cilat vërtetohet përgjegjësia ligjore për përhapjen e pretendimeve të pavërteta.

Në përfundim, FRI u bën thirrje mediave të verifikojnë burimet dhe të shmangin lidhjet e pakonfirmuara, duke ritheksuar përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, arsimit dhe dialogut ndërkulturor.

/Monitor.mk