Franca ka kërkuar arrestimin ndërkombëtar të tre shtetasve iranianë, të dyshuar për përfshirje në një sulm kibernetik që në muajin tetor goditi sistemet e ftohjes në rreth 700 supermarkete në të gjithë vendin.

Sulmi ndodhi natën e 11 tetorit, kur hakerat dyshohet se ndërhynë në cilësimet e shkrirjes së frigoriferëve, duke shkaktuar rritjen e temperaturave dhe prishjen e produkteve ushqimore. Si pasojë e incidentit, u raportuan edhe të paktën 15 zjarre.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, bëri të ditur se është hapur hetim zyrtar ndaj grupit të hakerëve Shahid Kaveh, të cilin Ministria e Jashtme franceze e lidh me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Në kuadër të hetimeve, autoritetet franceze kërkojnë arrestimin e Hamid Reza Lashgarian, Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand. I pari dyshohet se drejtonte Qendrën Elektronike dhe Kibernetike të IRGC-së, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kishin role drejtuese në njësinë Shahid Kaveh.

Sipas hetuesve, grupi dyshohet se ka vepruar përmes organizatave të ndryshme, përfshirë CyberAveng3rs dhe Cyber Isnaad Front.

Si prova në këtë hetim përmenden gjurmët e gjuhës perse në infrastrukturën e sulmit, si dhe adresat e internetit të lidhura me pajisje në Iran.

Ndërkohë, Teherani i ka hedhur poshtë akuzat e Francës, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe dashakeqe.