Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, kërkon reagim nga futbollistët kuqezi në përballjen me Finlandën, e cila zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku italian theksoi se skuadra është e përgatitur dhe synon të rikthehet te rezultatet pozitive, pas humbjes në Helsinki. Maran tha se dëshira e tij është që futbollistët të shënojnë gola, por mbi të gjitha të shpërblejnë mbështetjen e tifozëve.

“Si skuadër jemi të përgatitur dhe të përkushtuar për t’ua kthyer mbështetjen që na japin. Duhet ta justifikojmë mbështetjen e tifozëve në fushë, duke luajtur me përgjegjësi të madhe, pasi përfaqësojmë diçka shumë të rëndësishme”, u shpreh Maran.

Trajneri kuqezi foli edhe për pritshmëritë nga kjo përballje, duke theksuar se Shqipëria synon të shënojë e para dhe të shmangë gabimet në mbrojtje.

Ai kujtoi edhe paraqitjen në Helsinki, ku sipas tij, pavarësisht se Shqipëria luajti me një futbollist më pak, arriti të kontrollonte lojën dhe të krijonte raste shënimi.

Maran u shpreh i bindur se skuadra mund ta përsërisë atë paraqitje edhe në sfidën e radhës.

Shqipëria kërkon kështu të reagojë para tifozëve të saj dhe të marrë pikë të rëndësishme për vazhdimësinë në grupin C1 të Ligës së Kombeve.