Dejan Kulusevski rikthehet në kombëtaren suedeze pas dy vitesh mungesë, pasi ka lënë pas një dëmtim të rëndë të kërcit të gjurit, që e mbajti jashtë fushave për 526 ditë. Sulmuesi anësor i Tottenham është rikthyer në tetor, ndërsa tani është grumbulluar nga trajneri Graham Potter për ndeshjet vendimtare të Ligës së Kombeve ndaj Bosnjës dhe Polonisë.

Në një rrëfim për periudhën e vështirë, ai zbuloi se pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale të pasuksesshme iu propozua transplantimi i gjurit, që do ta mbante jashtë edhe për 18 muaj të tjerë. Ndihma e Zlatan Ibrahimovic dhe Ivan Perisic e orientoi drejt një specialisti në Serbi.

“Bëhej fjalë për transplant gjuri. Do të zëvendësoja gjurin tim me atë të dikujt tjetër, por thashë jo. Vendosa që, nëse do të kisha dhimbje gjatë lojës, do të luaja edhe me dhimbje”, – tregoi suedezi.

Ai pranoi se kishte menduar edhe të tërhiqej: “Do të transferohesha në një ishull për të jetuar me familjen. Pa vajzën time, do ta kisha shumë të vështirë.

Doktori serb ishte shumë i rëndësishëm për mua. Më tha: Mos mendo për ndërhyrje të tjera, do ta bëjmë kështu”, – përfundoi Kulusevski.

The post Kulusevski zbulon dramën me dëmtimin: Duhej të bëja transplant gjuri, por thashë jo. Më shpëtoi doktori serb… appeared first on Telesport.