Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, SHBA-ja ka menaxhuar më shumë se 12 miliardë dollarë të ardhura nga shitja e naftës venezuelase, sipas një raporti të kompanisë së auditimit KPMG, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përcjell TV21. Ky sistem i menaxhimit të të ardhurave u vendos pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump arrestoi në janar presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Sipas raportit, blerësit e naftës venezuelase dhe burimeve të tjera natyrore kanë derdhur paratë në një llogari të Departamentit amerikan të Thesarit. Më pas, fondet janë transferuar te qeveria e përkohshme e Venezuelës, e cila drejtohet nga ish-aleatë të Maduros që tashmë bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin.

Raporti mban datën 29 tetor dhe i është dorëzuar Kongresit në fillim të nëntorit, bëri të ditur një përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Raporti tregon se sistemi po funksionon”, deklaroi një zyrtar anonim për gazetën The New York Times.

Ai shtoi se të ardhurat nga nafta dhe burimet e tjera natyrore të Venezuelës, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, janë përdorur për financimin e shërbimeve bazë publike, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe rimëkëmbjen e sektorëve kyç, si energjetika, shëndetësia dhe infrastruktura.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e mjeteve të derdhura në llogari, mbi 12,1 miliardë dollarë, vijnë nga shitja e naftës, produkteve të tjera të naftës dhe gazit natyror. Shuma më të vogla janë realizuar nga shitja e arit (108 milionë dollarë), mineraleve (22 milionë dollarë) dhe plehrave kimike (24,6 milionë dollarë).

“Mjetet mbeten pronë sovrane e Venezuelës”, thuhet në raport, por ato mbahen në pritje të një vendimi nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për përdorimin e tyre për qëllime publike, shtetërore ose diplomatike.

Nga shuma e përgjithshme e pagesave, prej 12,11 miliardë dollarësh, janë paguar 99 për qind e mjeteve.