Tre të arrestuar në Çegran, dy prej tyre dyshohet se tentuan t’i shtypnin policët me veturë

Tre persona janë arrestuar në Çegran të Gostivarit gjatë një ndërhyrjeje policore, ku është sekuestruar një substancë e bardhë në formë pluhuri. Dy prej të arrestuarve dyshohet se kanë tentuar t’i shtypnin me automjet zyrtarët policorë dhe i kanë kërcënuar me jetë.

Sipas MPB-së, më 12 nëntor, në orën 20:35, është arrestuar 26-vjeçari H.S. nga Çegrani. Gjatë kontrollit të automjetit “Mitsubishi” që drejtonte, policia ka gjetur dhe sekuestruar substancën. Më pas, me urdhër gjykate, është kontrolluar edhe shtëpia e tij, ku është gjetur sërish substancë e bardhë në formë pluhuri.

Ndërsa policët po kryenin veprimet zyrtare para shtëpisë, me një automjet “BMW” kanë mbërritur V.Ç. (24) dhe A.N. (35), të dy nga Çegrani. Sipas njoftimit policor, ata kanë tentuar t’i shtypnin zyrtarët me veturë dhe i kanë kërcënuar me jetë, përpara se të largoheshin.

Të dy janë gjetur dhe arrestuar pak më vonë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të paraqiten kallëzimet përkatëse. /Monitor.mk