Një episod dramatik në minutat e fundit të ndeshjes Tenerife–FC Andorra përfundoi me pasoja tragjike dhe tronditi futbollin spanjoll. Portieri i Andorrës, Jesús Owono, është dënuar me 12 ndeshje pezullim pas ndërhyrjes ndaj sulmuesit të Tenerifes, Jesús de Miguel, i cili humbi jetën një ditë pas përplasjes.
Ngjarja ndodhi më 2 nëntor, në javën e 12-të të Kategorisë së Dytë spanjolle. Në minutën e 90-të, Owono doli nga zona për të larguar një top të lartë, por u përplas me De Miguel gjatë duelit ajror. Sipas raportit të arbitrit, portieri e goditi kundërshtarin në gjoks me këmbën e ngritur dhe forcë të tepruar, duke u ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Sulmuesi 30-vjeçar mbeti pa ndjenja në fushë. Pas ndihmës së parë, ai u transportua me urgjencë në spital dhe u shtrua në terapi intensive, por ndërroi jetë më 3 nëntor. Ndeshja, e cila ishte në rezultatin 2-2, u ndërpre përfundimisht.
Komisioni Disiplinor i Federatës Spanjolle vendosi më 13 nëntor ta pezullojë Owono me 12 ndeshje, në zbatim të nenit 102 për veprime të dhunshme me pasoja të rënda. Deri më tani, nuk ka të dhëna që portieri të ketë vepruar me qëllim për ta dëmtuar rëndë kundërshtarin. Trajneri i Andorrës ka bërë të ditur se Owono është thellësisht i tronditur nga tragjedia dhe se klubi do t’i japë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar emocionalisht.
Ndërkohë, policia spanjolle ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së futbollistit, teksa ndaj portierit Owono mund të ngrihen edhe akuza penale.
The post Përplasja që tronditi futbollin spanjoll, 12 ndeshje pezullim për portierin që i mori jetën kundërshtarit appeared first on Telesport.
