Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të jetë më e fuqishme, nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 12 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, ndërsa ekzistojnë kushte për reshje të dobëta shiu. Do të fryjë erë mesatare deri e fuqishme nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të zbresë në 10 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 13 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), edhe nesër pasdite në disa vende priten reshje të kohëpaskohshme shiu.
Nga fillimi i javës së ardhshme të punës, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Përjashtim do të ketë në mesin e javës, kur priten reshje më të dendura shiu, veçanërisht në pjesët perëndimore të vendit.
Gjatë kësaj periudhe do të fryjë erë mesatare, e cila herë pas here do të jetë e fuqishme, nga drejtimi jugor.
