Kombëtarja shqiptare U-17 ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Skocisë, në ndeshjen e dytë të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, UEFA EURO 2027. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama përmbysën disavantazhin fillestar dhe siguruan tri pikë me shumë vlerë në Grupin 4.

Shqipëria e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi Skocia kaloi në avantazh në minutën e 8-të me anë të Ngwenya. Kuqezinjtë reaguan në pjesën e dytë dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 60-të, me Gean Ramadanin, duke rikthyer baraspeshën në rezultat.

Në minutën e 72-të, Rajan Dybeli realizoi golin e përmbysjes, duke kaluar Shqipërinë në avantazh 2-1. Mesfushori kuqezi ishte sërish protagonist në minutën e 90+4, kur shënoi golin e tretë dhe vulosi fitoren 3-1 të Shqipërisë ndaj Skocisë.

Me këtë sukses, Kombëtarja U-17 ngjitet në kuotën e 4 pikëve dhe renditet në vendin e dytë të Grupit 4, pas Finlandës, që kryeson me 6 pikë. Ky pozicion e vendos Shqipërinë në rrugën drejt kualifikimit në League A të raundit të dytë, ku do të vazhdojnë garën dy skuadrat e para të çdo grupi.

Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit, më 17 nëntor, kur Shqipëria do të përballet pikërisht me Finlandën, në orën 14:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Një fitore do t’i ngjiste kuqezinjtë në kuotën e 7 pikëve dhe do t’u siguronte vendin e parë në Grupin 4.

Shqipëria U-17 do të kërkojë të vijojë me një tjetër rezultat pozitiv, për të mbyllur në krye këtë mini-turne kualifikues të organizuar në vendin tonë nga FSHF.

The post UEFA EURO U-17 2027: Shqipëria me përmbysje fantastike ndaj Skocisë. “Finalja” e grupit luhet ndaj Finlandës appeared first on Telesport.