Bora akoma mungon, por Kodra e Diellit ka bërë përgatitjet për fillimin e sezonit të skijimit. Drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji, thotë se është bërë incizimi edhe nga Fakulteti i Makinerisë, nga i cili përfundimisht pritet edhe leja për një sezon të mbarë.
“Siç e dini, jemi në përfundim të përgatitjeve për sezonin e skijimit. Kemi bërë edhe incizimin e linjave nga Fakulteti i Makinerisë, si dhe intervenime në disa linja, pra konkretisht në “Ge” kemi bërë edhe ndërrimin e linjës me të re dhe sa i përket punës së kontrollit nga fakulteti në rregull dhe presim të marrim lejen e punës”, deklaroi Gani Aliji, drejtor i Kodrës së Diellit.
Në Kodrën e Diellit këtë vit pritet që edhe pista GE të jetë me ndriçim për skijim nate, ndërsa do të ketë edhe një pistë të tretë më të lehtë, rreth 100 metra, për fëmijët. I cili do të duhet të arrijë deri në fund të këtij muaji.
“Kemi pasur ca probleme me rrjetet e ujërave nën gjashtë ulësen, por bëmë projekt, të gjitha u rregulluan, si dhe bëmë ndryshimin e linjës optike në Kodrën e Diellit, si dhe ndërrimin e hyrje-daljeve për skijatorët që ishin mbi dhjetë vjet të vjetra. Ne kemi bërë përgatitjet edhe sa i përket linjës dhe internetit për Land liftin për fëmijë prej 100 metrash dhe e presim gjatë këtij muaji, sepse është në prodhim dhe në fund të muajit arrin në ski-qendër”, deklaroi më tej Aliji.
Problem edhe këtë vit pritet të jetë çështja e parkimit, sidomos gjatë vikendeve, ndërsa qarkorja që duhet edhe të shkarkojë komunikacionin është duke u ndërtuar, por a do të lëshohet në përdorim, pritet të shihet.
