Irfan Buçi, ish-eksponent i lartë i VLEN-it, ka kërkuar sqarime nga koalicioni për rolin e Ivan Stoilkoviqit në nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në një reagim në Facebook, Buçi pyet se kush e autorizoi Stoilkoviqin dhe nëse Besar Durmishi ishte i përfshirë në proces.

Sipas Buçit, Stoilkoviqi e nënshkroi memorandumin më 3 dhjetor 2025 së bashku me ministren serbe të Ekonomisë. Buçi shkruan se dokumenti pesëvjeçar përfshinte investime, zgjerim të tregtisë, bashkëpunim ndërmjet kompanive dhe projekte të përbashkëta, përfshirë ato në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

Buçi vë në pikëpyetje vendimin për t’ia besuar nënshkrimin Stoilkoviqit, i cili në atë kohë, sipas tij, mbante postin e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Ai i drejtohet edhe Durmishit, duke e pyetur nëse kishte marrë pjesë në përgatitjen e marrëveshjes apo ishte anashkaluar nga Qeveria.

Reagimin, të cilin e hap me një thumbim se Stoilkoviqi “duhet të jetë kryetar i VLEN-it”, Buçi e mbyll me një pyetje për koalicionin: “VLEN, a keni fuqi me vendos në këtë Qeveri?”

The post Irfan Buçi pyet VLEN-in: Kush e autorizoi Stoilkoviqin ta nënshkruajë memorandumin ekonomik me Serbinë? first appeared on .