Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka hedhur poshtë të dielën kërkesën e Gjermanisë që Teherani zyrtar të ndalojë pasurimin e uraniumit, duke thënë se Irani ka të drejtë ta pasurojë uraniumin si anëtar i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

“E drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit nuk është diçka që na e kanë dhënë Gjermania, Franca apo të tjerët”, ka deklaruar Baghaei.

Baghaei ka kritikuar gjithashtu Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), duke e akuzuar për ato që i ka cilësuar si “spekulime joteknike” lidhur me mundësinë e ndërtimit të një objekti të ri për pasurimin e uraniumit në qytetin Isfahan, në Iranin qendror.

Ai ka thënë se agjencia kishte humbur qasjen në objektet bërthamore të Iranit gjatë luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, por pretendoi se Teherani nuk i kishte pezulluar detyrimet e tij në kuadër të marrëveshjeve të mbikëqyrjes bërthamore.

I pyetur për një reagim të mundshëm ndaj sulmeve të reja amerikane, Baghaei ka thënë se Irani “nuk do të lërë asnjë goditje pa përgjigje”.